Gjimnazi që shtrydh djersën dhe xhepin e profesorëve (FOTO)

Godina e re e gjimnazit të Dibrës u nis të ndërtohet që para dy viteve, por punët zhagmiten për shkak të mungesës së mjeteve për ta përfunduar atë. Madje vetë profesorët janë bërë donatorët më të zellshëm për këtë objekt. 

Komuna e Dibrës para dy viteve dha vetëm 20 mijë denarë për përgatitjen e projektit, ndërkaq nga buxheti i vetë gjimnazit deri më tani  janë shpenzuar  19 milion denarë. 

“Me  këtë shumë parash, nisën të ndërtohen themelet e godinës,u bë plani detal i projektit, instalimet e rrymës, ujit dhe nxehjes qendrore”, vlerësojnë për Portalb.mk përfaqësues të gjimnazit “28 Nëntori”  

Kryetar i Dibrës, Ruzhdi Lata për Portalb thotë se i vjen keq që askush deri më tani nuk e ka përmendur këtë kontribut të profesorëve të gjimnazit që paratë që u takonin atyre të njëjtat  i futën në themelet e godinës së re. Megjithatë ai shprehet optimist se ndërtimi do të mbarojë së shpejti duke u gjendur donatorë të tjerë.

“Ne si pushtet vendor, kemi shpresa të mëdha  për ndërtimin sa më të shpejtë të kësaj godine dhe besoj se do të kemi donatorë” tha Lata. 

Ai sërish lavdëroi profesorët duke thënë se ata  vazhduan të njëjtën traditë si më parë, me themelimin e gjimnazit të parë, ku profesorët si Mahmut Hysa, Bardhyl Cami, Muhamet Paçuku , Emin Pustina etj gjashtë muaj kanë punuar pa pagesë.

 “Ne si komunë ju jemi mirënjohës,bashkëpunimi do të vazhdojë dhe ata pedagogë duhet të kenë një godinë edhe më meritore sesa mund  ta shikon projekti dhe plani i ndërtimit të gjimnazit ,,28 Nëntori, “ përfundoi Lata.

E njëjta nisi me pëlqimin e Këshillit të profesorëve, Këshillit komunal dhe ish kryetarit Fida. I gjithë ky projekt ishte nevojë e patjetërsueshme sepse godina e vjetër është ndërtuar që nga vitet 1968-1969, ndërtesë e amortizuar dhe pa kushte  për mësim. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button