Meta: Vizita e Ramës në Serbi, vendosmëri për të normalizuar marrëdhëniet

Kreu i Kuvendit Ilir Meta ka folur sot edhe per doreheqjen e deputetes Luiza Xhuvani, pas ngjarjes se rende ku eshte i implikuar i biri i saj.

“Pas dorëheqjes së Xhuvanit do të veprohet sipas rregullave. Do të zbatohen procedurat, pavarësisht nga tragjedia. Dorëheqja vlerësohet, mesazh për gjithë deputetët e politikanët” deklaroi Meta.

Komentet kreu i Kuvendit i bëri pas takimit të XIII të grupit të punës të bashkëpunimit të Europës Juglindore. Nder te tjera Meta konfirmoi vullnetin për avancimin e punës dhe për zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull.

“Në kontekstin global ku jetojmë, bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm edhe për të kapërcuer barrierat e së kaluarës. Përmes fuqisë transformuese në Bashkimit Europian ne mund të konstribuojmë si parlamente, për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. Shpreh rëndësinë e avancimit të një historie të re për rajonin tonë, jo për kufijtë, por për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë dhe gjeneratët pasardhëse”, u shpreh Meta

Ndërsa vizitën e kryeministrit Rama në Serbi, që pritet të zhvillohet ditën e hënë, Meta e cilësoi si vendosmëri nga ana e tij për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë.

“Takova nënkryetaren e Parlamentit të Serbisë, zhvillova një bisedë mjaft konstruktive dhe mirëkuptuese. Pra është një vizitë e cila zhvillohet në drejtimin e duhur, tregon vendosmëri për të ecur më tej në rrugën e normalizimit dhe transformimit. Ne kemi përgjegjësi të veçantë për të ardhmen e gjithë rajonit. Këtë përgjegjësi duhet ta ushtrojmë duke mos përsëritur frymën konfliktuale të së kaluarës, të bëjmë histori jo për histori, por histori për të ardhmen”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Back to top button