Pjesa dërmuese e struganëve më të rinj se 40 vjeç

Banorët e Strugës kanë një moshë mesatare prej 33.1 vjeç. Kjo  e dhënë del si rezultat i të dhënave të grumbulluara nga regjistrimi i popullsisë, i realizuar në vitin 2002. Po sipas këtij regjistrimi, Struga ka një popullsi prej gjithsej 63376,  banorësh, kurse sipas të dhënave  të evidentuara nga Enti Shtetëror i Statistikës, në vitin 2004 shkalla e natalitetit në Komunën e Strugës ishte 10.2 përqind, kurse ajo e mortalitetit 7.5 përqind.

Sipas informacioneve zyrtare shkalla e vdekshmërisë së foshnjave është 10.6 promilë, kurse evidentohet një rritje natyrore  e shprehur në numra prej 101 , apo prej 2.7 promilësh. Është interesant fakti, ndërkaq që për nga  shtimi natyror, Komuna e Strugës është nën mesataren e Republikës.

Interesante gjithashtu paraqitet gjendja  në këtë komunë, kur bëhet fjalë për personat që kanë ardhur dhe ata të cilët janë larguar. Kështu, sipas të dhënave të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikës , në Komunën e Strugës më shumë vijnë sesa ikin qytetarë.   Për të arritur deri në këtë konstatim, pikë referimi është marrë viti 2004, kur në Strugë kishin ardhur 223 persona, prej të cilëve 152 qytetarë kanë ardhur nga viset tjera të vendit, kurse pjesa tjetër, pra  71 nga jashtë. Ndërkaq, shifrat flasin se pjesa më e madhe e të ardhurave janë të gjinisë femërore, 113  sosh. 

Në Strugë, ndërkaq numri i banorëve meshkuj dhe femra është i balancuar. Kështu femrat kanë një dominim fare të lehtë, sepse në numrin e përgjithshëm të banorëve ato kontribuojnë me 31743 banorë ndërsa  meshkujt me 31633 banorë. 

Dendësia mesatare e popullsisë në Komunën e Strugës arrin 130.6 persona në 1 km 2, ndërsa mosha mesatare e banorëve të Strugës është 33.1 vjeç. Të rinjtë deri në moshën 20 vjeçare përbëjnë 36.2 përqind të numrit të banorëve të Strugës, kurse përqindëshin më të madh të numrit të banorëve të Strugës përbëjnë qytetarët nën moshën 40 vjeç, duke kontribuar në numrin e përgjithshëm me 67.2 përqind. Komuna e Strugës ka 11.7 përqind të popullsisë së saj mbi moshën 60 vjeçare. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button