Refuzimi i bashkëshortit në shtrat

Ekziston një numër i madh i haditheve ku thuhet se është mëkat i madh për gruan e cila e refuzon bashkëshortin e saj në shtrat atëherë kur ai e thërret. Disa nga ato hadithe do t’i citojmë më poshtë, ndërsa një gjest i tillë (i gruas) pas vetes tërheq pasojat vijuese:

1. Atë e mallkojnë melaiket

Imam Buhariu dhe Muslimi transmetojnë përmes Ebu Hurejres, radiallahu anhu, se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, ka thënë:

“Atëherë kur bashkëshorti e thërret bashkëshorten e tij në shtrat e ajo refuzon t’i përgjigjet, melaiket e mallkojnë atë deri në të gdhirë (derisa të agojë drita).”

Imam Neveviu, rahimehullah, duke e komentuar këtë hadith ka thënë:

“Hadithi e ndalon rreptësisht gruan që të mos i përgjigjet bashkëshortit të saj në shtrat, natyrisht, nëse nuk ekzistojnë pengesa të arsyeshme ligjore islame (sheriatike). Madje edhe cikli mujor (tek femrat) nuk është arsye e vlefshme për mospërgjigje, sepse bashkëshorti mban të drejtën që të zbavitet me trupin e saj mbi kërthizë.”

Engjëjt (melaiket) e mallkojnë atë grua deri kur ajo të qëndrojë në atë mëkat dhe deri kur bashkëshorti i saj ka nevojë për të, përveçse nëse pendohet ose i përgjigjet atij.

2. Allahu i Lartëmadhëruar hidhërohet me atë

Imam Muslimi shënoi se Ebu Hurejre, radiallahu anhu, transmetoi hadithin vijues të Muhamedit, salallahu alejhi ue selem, ku ka thënë:

“Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, kur një njeri e thërret bashkëshorten e tij në shtrat, dhe ajo e refuzon, Ai në qiej hidhërohet me të, derisa bashkëshortit t’i kalojë hidhërimi.”

Er-Ragibiu ka thënë: “Shejh Muhamed Bin El-Uthejmini thotë:
Ky hadith ka porosi të ashpër ku thuhet se e mallkojnë melaiket, sepse është më keq kur Allahu të hidhërohet me një njeri, sesa kur e mallkojnë. Allahu na mbrojtë!”

3. Allahu nuk i pranon veprat e mira të saj

El-Hakimi dhe Et-Taberani kanë shënuar se Abdullah Bin Umeri, radiallahu anhu, transmeton këto fjalë të të Dërguarit të Allahut:

“Dy lloje të njerëzve nuk do t’u pranohet namazi: skllavit i cili ikën nga pronari i tij deri kur të kthehet dhe gruas rebele ndaj bashkëshortit të saj deri kur t’i nënshtrohet.”

Duhet theksuar se burrit i ndalohet injorimi i paarsyeshëm i bashkëshortes dhe ndalimi i marrëdhënieve intime, sepse një gjë e tillë do të kishte pasoja të dëmshme.

Nëse atë e bën pa asnjë shkak, atëherë është mëkatar ndaj Allahut, sepse në esencë të shkaktuarit dëm është e ndaluar.
S’ka dyshim, se injorimi i bashkëshortes në shtrat është një gjë tepër e rrezikshme, veçanërisht sot kur sprovat janë më të shumta dhe kur është lehtësuar kryerja e gjërave të ndaluara.

Pra, burri duhet t’i frikësohet Allahut të Lartëmadhëruar kur është në pyetje bashkëshortja e tij dhe të mos e nënshtrojë në sprova.
Nëse injorimi i bashkëshortes është me karakter edukativ, atëherë një gjë e tillë nuk do të ishte e dëmshme, sepse i Dërguari i Allahut i injoronte bashkëshortet e tij në atë mënyrë saqë iu shkonte pas një muaji.

4. Me këtë nëpërkëmben të drejtat e Allahut

Përmes Zejd Bin Erkamit, Et-Taberani shënoi këtë hadith, ku i Dërguari i Allahut ka thënë:

“Gruaja nuk i kryen detyrimet ndaj Allahut, përderisa nuk i kryen të gjitha detyrimet ndaj bashkëshortit; nëse ai e thërret, edhe nëse qëndron mbi shalë, ajo duhet t’i përgjigjet.”

Lajme të ngjashme

Back to top button