Skenaret për mandatet e LSDM dhe roli i BDI-së

Deputetët e opozitës maqedonase të cilët të hënën mbushin plotë gjashtë muaj që në organin ligjvënës evidentohen se mungojnë pa arsye, nuk do të kthehen në Parlament, duke përjashtuar kështu njërin nga tre skenarët e mundshëm për zgjidhjen e ngërçit me mandatet e opozitës, shkruan gazeta Koha.

Dy skenarët e tjera procedurale janë edhe më tej në lojë dhe njëri prej tyre do të dihet më së voni të hënën kur dhe përfundon afati për mungesa të pa arsyeshme të deputetëve.

Skenari i parë është që kryeparlamentari Trajko Veljanovski të thërret seancën në të cilën pikë e vetme e rendit të ditës ka mbetur konstatimi i dorëheqjeve të cilat vullnetarisht i kanë deponuar deputetët e LSDM-së dhe partnerët e koalicionit opozitarë.

Skenari i dytë mbetet që në komisionin për zgjedhje dhe çështje të imunitetit të hapet procedurë për marrjen e mandateve deputetëve që për 6 muaj nuk kanë hyrë në Parlament dhe as kanë arsyetuar mungesën e tyre.

Sipas nënkryetarit të Parlamentit, Rafiz Haliti, kryesia e institucionit më të lartë ligjvënës ende nuk ka vendosur se si do të veprojë dhe se të hënën mund të ndodh gjithçka.

“Nuk ka ende asnjë vendim nëse do të zgjidhet njëri nga dy variantet procedurale. Ne si BDI jemi për variantin e tretë, atë që deputetët të kthehen në Parlament dhe këtu të bëjnë punën e tyre. Nuk përjashtohet mundësia që edhe të hënën në një seancë në rend dite të shtohet edhe një pikë që ka të bëjë me mandatet e deputetëve”, tha Haliti.

Ai thekson se BDI ende nuk ka marrë një qëndrim se si do të veprojë në secilin nga dy skenarët ku do të jetë e rëndësishme edhe vota e tyre.

Jozyrtarisht, nga burime brenda Parlamentit mësohet se shumica parlamentare do të shfrytëzojë çdo mundësi procedurale që të zvarrisë punën dhe deputetëve të LSDM-së mos t’u merren mandatet.

Lajme të ngjashme

Back to top button