BDI Tiki-Taka!

E gjej veten sot në taksi duke u kthyer në punë, pas një gjysmë dite kur gjithçka të duket sikur ka shkuar për lesh. E gjej veten në një situatë të dëgjoj taksistin të më tregojë për hallet e veta të përditshme. Aspak i interesuar për mizorinë e kësaj krijese, por megjithatë konsiderata dhe edukata ime nuk më lejojnë të tregohem i painteresuar. Bëj sikur e dëgjoj. Në një moment kuptoj që po më flet për “ata të pranuarit me këtë… Marrëveshjen e Ohrit” që nuk kanë as kulturë, as mirëkuptim, por i valvisin ato gjobat sikur të ishin flamuj. E kishte fjalën për policët e “Marrëveshjes së Ohrit” – nuk e kisha ditur që ekzistuaka një institucion i tillë i policisë paralele… Por njeriu mund të mësojë shumë nga taksistët. Unë, sot këtë e mësova. Demek policët shqiptarë qenkan shumë të disciplinuar dhe nuk bëkan lëshime, kur qenka puna për të mbushur buxhetin e shtetit me para gjobash.

Në ndërkohë në radio spikerja e RTVM2 – radios nacionale (për të cilën unë e shumë të tjerë paguajmë taksën radiodifuzive), tregon se si grupe të mëdha të policisë speciale bashkë me inspektorë të Drejtorisë së të Ardhurave Publike kanë hyrë në akcione rutinore në komuna të caktuara të vendit – të gjitha shqiptare, asgjë e re, asgjë e çuditshme – duke gjobitur dhe mbyllur lokalet ku nuk respektohet ligji për ndalimin e duhanit dhe që nuk janë të pajisura me kasa fiskale.

Tani… Ka shumë sende që nuk shkojnë me këtë reportazh. Secila mendje jo psikopate/sociopate do ta vërente. Edhe sikur të mos e kuptosh fare sistemin juridik dhe ligjet e këtij vendi, do rrënqethesh kur të mendosh që në një akcion rutinor të organit të administrimit fiskal, përdoren forca speciale policore. Dy sende nuk përputhen: akcion rutinor, forca speciale. Çka ka speciale në rutinën, nuk e kuptoj?!

Ndërkaq mendja – shumë e çuditshme, mendon për tiki-takën. Për ata që nuk e kuptojnë nocionin “tiki-taka”, Google do ju ndihmojë, por ja një divergjencë e shkurtër: është filozofi futbolli e krijuar nga të mëdhenjtë Cruijff dhe Guardiola si sistem loje për Barcelonën e viteve ’90 dhe atë të Messit, Xavit e Iniestës të viteve 2008 e tutje. Faktikisht, “tika-taka” konsiston në dy principe kryesore futbolistike: lojtari që ka topin duhet të asociohet sa më shpejt që është e mundur me lojtarin tjetër, por gjithmonë duke i patur të hapura të paktën tre opcione për asocim. Pastaj është gjenialiteti i Laudrup e Guardiola në kohën e Cruijff, Xavi-Iniesta-Messi në kohët më moderne, që krijojnë atë simfoni dehëse futbolistike që shkatërron kundërshtarët me një graciozitet të paparë. Qëllimi kryesor është që kundërshtarët të raskapiten fizikisht dhe psiqikisht duke u munduar të koordinojnë sytë dhe këmbët në ndjekje të topit.

Mund të duket si sakrilegj, të përziesh BDI me Barçën. Për një tifoz si unë, absolutisht. Por ja ku e kishte zanafillën dhe rrjedhën logjika e mendjes time në atë çast. Dëgjoj që njëri ministër “personalisht” do të kërkojë përgjegjësi për ata që inskenuan një skandal të këtillë. Shumë e drejtë! Ndërkohë ia pason topin Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP). Atje, zëvendës drejtori shqiptar nuk e pranon vërejtjen duke kërkuar arsyetim nga zëvendës ministri poashtu shqiptar i MPB.
Ky nga ana tjetër thotë që ligji kërkon intervenim të policisë nëse DAP e ka kërkuar një gjë të tillë. Ndërkaq DAP e mohon që në këtë rast ka kërkuar asistencë policore. Ndërsa, në terren forcat speciale tmerrojnë popullatën. Tani i gjithë ky skenar, i kriminalizimit të përgjithshëm të shqiptarëve, dhe reagimeve post-actum të qeveritarëve shqiptarë, mua në atë moment më ngjau në “tiki-takën” e Barcelonës. Njëri, Xavi, i dyti Iniesta ndërsa i treti Messi. Busquets në këtë rast, ai që drejton timonin në heshtje, nuk ka reaguar akoma. Pritet edhe reagimi i tij, sa paqësor aq edhe i pakuptimtë… gjithmonë, me qëllim të raskapitjes sa fizike aq edhe psiqike e morale të kundërshtarëve – lexo popullit. Por, pa graciozitet. Tanimë, të parashikueshëm…

Prapaskena, mesazhi kryesor: shqiptarët nuk paguajnë taksa, shqiptarët nuk duan të jetojnë në këtë shtet. Po vallë, me ata policët e disciplinuar të “Marrëveshjes së Ohrit”, për disciplinën e tyre shtetare, çka të themi?… A thua, Busquets e ka kuptuar lëvizjen e fshehtë të armikut të vërtetë – Ronaldos që vjen me vrull nga “Leninova bb”?! Ta shohim, ka edhe 90 minuta lojë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button