Ademi nxjerr në pah gënjeshtrën: librat shqip nuk janë përkthyer

Ministria e Arsimit dhe Shkencës manipulon me opinionin duke tentuar të fsheh mos angazhimin e saj në  përkthimin e librave shqip të projektit  “Përkthim i 1000 teksteve profesionale”. Përderisa zëdhënësi dukshëm gënjen duke thënë se librat shqip përkthehen në të njëjtën tempo me ata maqedonase dhe se i ruajnë në magazinë, ministri Abidilaqim Ademi pranon të vërtetën- libra shqip ende nuk ka.

Librat shqip të projektit “Përkthim i 1000 teksteve profesionale”, nuk ndodhen në magazinën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), sepse përkthimi ende nuk është bërë. Me këto fjalë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abidilaqim Ademi bën të ditur për Portalb se ai nuk e di apo nuk interesohet për të kërkuar përgjegjësi për atë që kishte deklaruar zëdhënësi i MASH-it, Goran Galevski, i cili disa herë pohoi që këto tituj janë përkthyer edhe shqip.

“Nuk është e vërtetë që librat i mbajmë ne në magazinë, shtëpitë botuese të cilat konkurrojnë për të fituar konkursin për përkthimin e këtyre titujve janë të detyruar që ta bëjnë atë edhe në gjuhën maqedonase dhe shqipe. Por disa prej tyre më shpejtë përfundojnë përkthimin në gjuhën maqedonase e disa tjera në gjuhën shqipe”, tha Ademi për Portalb.

“Të gjithë titujt që përkthehen në gjuhën shqipe i dërgojmë në Qeveri dhe më pas bëhet promovimi i tyre dhe dërgohen në Universitete”, shtoi Ademi.

Ministri Ademi po ashtu njoftojë që së shpejti parashikohet përfundimi i këtij projekti dhe se përkthimi në gjuhën shqipe do të realizohet në të ardhmen e shpejtë duke mos dhënë datë precize.

Por sërish mbetet pikëpyetje se kur dhe a do të përfundojë ky projekt,  pasi që sipas punës së deri tanishme, përkthimi në gjuhën shqipe po bëhet shumë ngadalë?! Sa për ilustrim: nga 897 libra të përkthyer prej projektit  “Përkthim i 1000 teksteve profesionale”, në Universitetin Shtetëror të Tetovës (USHT) kanë arritur vetëm mbi 100 tituj dhe atë, që në vitin 2012.  /PorAlb

Lajme të ngjashme

Back to top button