Italianët: Droga e Lazaratit kushton 4.5 miliard euro. Kryekomunari: Kjo shifër është çmenduri (VIDEO)

Në Lazarat kultivohet kanabis me një vlerë marramendëse. Kështu mendojnë italianët.

Shuma marramendëse, 4.5 miliard euro, e siguruar nga tregtia e hashashit, është bërë publike nga drejtori i Repartit të Aviacionit të ‘Guardia di Finanza’, Stefano Bastoni, gjatë një konference për shtyp së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.

Duke shprehur shqetësimin e policisë italiane, sepse kanabisi që kultivohet në Shqipëri tregtohet masivisht në Itali, Bastoni tha se avionë me teknologji të përparuar kanë zbuluar qindra plantacione me kanabis, ku vetëm në Lazarat lënda narkotike mund të arrijë në 900 tonë, ndërsa nga vlera e shitjes së saj mund të përfitohet 4.5 miliard euro.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment ndaj deklaratës tronditëse të homologët të tij italian, ndërsa kryetari i komunës së Lazaratit, Dashnor Aliko, e ka konsideruar këtë deklaratë si të çmendur.

Për TemA-n, Aliko tha se është e pamundur që nga Lazarati të sigurohet një shumë kaq e madhe, pasi sipas tij, edhe sikur e gjithë Shqipëria të kultivonte hashash, nuk mund të siguroheshin kaq para.

“Nëse është deklaruar kështu, mua më duket një çmenduri, pasi nuk është aspak e vërtetë. Në Lazarat nuk kultivohet  një sasi kaq e madhe e kësaj lënde narkotike që të justifikonte vlerën e 4.5 miliard eurove. Duhet të jetë një gabim”, tha Aliko, i cili nuk ka mohuar faktin që në komunën që ai drejton, edhe këtë vit është mbjellë hashash.

Madje kryekomunari deklaroi se për shkak të zgjedhjeve, këtë vit është shtuar sasia e mbjellë me kanabis, kjo e krahasuar me vitet e fundit.

“Është e vërtetë që për shkak të situatës së zgjedhjeve këtë vit është shtuar sasia e mbjellë me hashash, me gjithë punën tonë në parandalimin e këtij fenomeni, por kurrsesi që kjo sasi e shtuar nuk ka këtë vlerë”, shtroi më tej kryetari i Komunës së Lazaratit.

Sipas Alikos, policia dhe institucionet shtetërore kanë dështuar në luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike pasi në Lazarat e vetmja mundësi jetesë për vendasit është tregtia e hashashit. “Unë nuk mund të them se policia, apo dhe ne si pushtet vendor, nuk kemi pasur sukses në punën për të goditur këtë fenomen, pasi janë arrestuar dhjetëra persona apo dhe janë djegur sasi të konsiderueshme rrënjësh me hashash, por për të zhdukur këtë fenomen duhen politika të qarta punësimi për banorët e Lazaratit dhe kjo është këshilla ime për qeverinë e re”, tha Aliko duke thënë se marrëdhëniet e tij, në cilësinë e kryetarit të komunës së Lazaratit do të jenë korrekte me qeverinë socialiste, dhe pse zona njihet si një bastion i së djathtës dhe ai vetë një militant i thekur i Partisë Demokratike.

Sipas deklaratës së kryetarit të Komunës së Lazaratit, duket se këtë vit qendra e fshatit dhe pjesa e poshtme e tij, është mbjellë me kanabis, ndërkohë që dy vitet te fundit në këtë zonë mbilleshin vetëm tokat pa zot apo dhe shpati i malit.

Por në kohë zgjedhjesh, duket se të gjithë, kanë bërë një sy qorr për kultivimin e lëndës narkotike në këtë zonë, e sipas inspektimit të bërë nga aeroplanët e specializuar italian, Lazarati nuk është vendi i vetëm në Shqipëri ku kultivohen lëndë narkotike.

Gjatë konferencës për shtyp, drejtori i Repartit të Aviacionit të Guardia Di Finanza, Stefano Bastoni, tha se Vlora, Shkodra, Durrësi janë prefekturat në të cilët janë konstatuar parcela të tëra të mbjella me hashash.

Por shtimi i sipërfaqeve ku kultivohen lëndët narkotike, duket se nuk e ka çuditur aspak drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili gjatë konferencës për shtyp, veç evidentimit të fenomenit, nuk ka bërë të ditur asnjë plan operacional për ndërhyrjen e forcave të policisë.

“Nga filmimet ajrore është bërë i mundur fotografimi i të gjitha parcelave në vend dhe zonat më problematike janë Vlora, Shkodra, Gjirokastra, Tirana dhe Durrësi. Kemi të bëjmë kryesisht me sipërfaqe të vogla, larg zonave të banimit dhe në zona të thella malore. Autorët në shumë raste janë shpërngulur nga vendbanimet e tyre. Janë asgjësuar 108 raste dhe janë proceduar 33 shtetas, 23 janë arrestuar dhe të tjerë janë në kërkim. Në këtë operacion, policia ka angazhuar forca të specializuara të mbështetura nga helikopterë. Kontrolli dhe krehja e zonave do vazhdojnë deri në shtator së bashku me asgjësimin e parcelave”, tha Burgaj./Gazeta Tema/

Lajme të ngjashme

Back to top button