Kur ‘Fast & Furious’ i përshtatet jetës reale!

Që media ndikon, kjo nuk ka dyshim. Dy mediumet më të dashur për rininë janë filmi dhe muzika. Filmi p.sh është një ndër mediumet më të përhapur dhe më të përdorur nga përdorues të moshave të ndryshme, ngase ai posedon të gjitha zhanret e mundshme që mund t’i përjetojë njeriu në jetën e vet, madje ndonjëherë edhe më shumë se kaq.

Zhanri më i preferuar për të rinjtë ngelet ai “aksion”, ku i njejti përbën adrenalinë, emocion dhe aventurë të paparë. Ajo që e shtyn rininë të presë me padurim premierën e një filmi duhet të jetë reklama, nëpërmjet pllakatave, afisheve dhe mos flasim atë televizive që risillet në prezencën e tyre sapo ata t’a kenë harruar pak. Një ndër premierat e 2013-ës që pritej me padurim duke bërë xhiron e kinemave në mbarë botën, ishte edhe “Fast & Furious 6”.  Në regjinë e Justin Lin dhe roleve kryesore të Vin Diesel, Paul Walker, Dwayne Johnson, Michelle Rodriguez etj, është kjo pjesa e gjashtë e këtij filmi që risjell makinat e shpejta, garat tronditëse, rreziqet për jetë, djemtë muskulozë dhe vajzat e bukura në dyluftim… I njejti deri më tani ka arritur 745 milion dollarë bruto fitim në mbarë botën. Ajo që e karakterizon këtë film, ndër të tjera është se është shndërruar në një hapësirë të përshtatshme për të reklamuar makinat e shpejta dhe luksoze por jo vetëm. Kjo është një metodë të cilën gjigandët korporativ e shfrytëzojnë rëndom në shumë filma. P.sh. nëse te “James Bond 007” reklamohet hapur pija alkooloke “Martini” dhe makina BMW, te “Fast & Furious” kemi birrën “Corona” dhe shumë brende të garazheve makro të makinave. Si duket këto investime nuk kalojnë pa mos pasur sukses, e suksesi për korporatën është shitja e produktit për të cilin ka investuar të reklamohet në X film. Nga kjo pastaj vërehet shtimi i konsumit. 

Ky ndikim po vërehet edhe në vendin tonë, sidomos në sezonin kur vijnë kurbetçarët, makinat e të cilëve mund të kalojnë shifrën  prej 100 mijë eurosh, duke mos anashkaluar as pijet alkoolike, tamam ashtu  siç janë të paraqitura në film! 

Nuk po e shtroj dilemën në shikimin e filmave por në prirjet për imitacione të ndryshme dhe ambientimin e situatave filmike në jetën reale, sepse atëherë vjen në shprehje shqetësimi “sa thellë je në film?!”  Kombinimi makinë e shpejtë dhe alkool në çfarë mund të rezultojë pos në një aksident tragjik?! Fenomeni më i ri në vendin tonë për të cilin nuk kisha dëgjuar qenka “gara me makina”, tamam si në “Fast & Furious”, ku mund te shohësh makina të shpejta dhe luksoze që provojne kuajt e tyre nëpër rrugët tona dhe këtë e bëjnë në prezencë të kamerave (të iphone-it). Duke zënë të dyja lentat e rrugës, zakonisht në orët e hershme të mengjesit kur komunikacioni nuk është i ngjeshur, disa të rinj mblidhen dhe provojnë forcat prej shoferi duke vënë në lojë jetrat e tyre!
Si pasojë e kësaj kemi shtim të aksidenteve dhe rritje të numrit të viktimave, andaj le të jetë ky një shqetësim i jonë i përbashkët duke u përpjekur që të distancohemi nga këto dëshira djallëzore. Shpresojmë që vetëdija e qytetarëve të rritet e këto raste të minimizohen!

Mesazhi: “Jeta është më e vlefshme sesa adrenalina e perjetuar në shpejtësinë e makinës”

Lajme të ngjashme

Back to top button