Laboratorët politik rikthejnë “uniformat” si shaka të pakripur për qytetarët

Të rrallë janë ata që besojnë në parodinë e personave që rishfaqen sa herë që politikanët nxjerrin shkëndijat e para të zhurmës për ngjarje që në opinion konceptohen si tendencë për të tërhequr vëmendjen nga zymtia e mjerimit social.

Në Malësinë e Sharit, aty ku mjerimi social shtrin këmbët gjerë e gjatë, droja shfaqet sërish tek banorët. Ata thonë se kanë drojë se ky rajon është bërë vendi ku mund të fshihet dhe të mbulohet gjithçka që del nga laboratorët e korruptuara të politikës ditore.

Produkt i “laboratorëve të tilla”, thonë banorët e malësisë për Portalb, ishte Brodeci. Ata thonë se lojërat politike për ta janë shfaqur gjithmonë në formën e “ujkut” të gënjeshtrave, por kësaj radhe ata mendojnë se kjo do të ishte një gallatë e tepruar dhe banale qoftë edhe për ata që mendojnë se malësia e Tetovës mund të jetë poligoni eksperimental i politikës ditore.

“A keni parë njerëz me uniforma të zeza” është pyetja më anakronike që nga shumica e banorëve lokal merr përgjigjen shpërfillëse me një të qeshur ironike.

“Që nga 2001 nuk kemi parë asnjë uniform ashtu siç përflitet kohë pas kohe”, thotë një banor i Sellcës, Irfan Milaimi.

“Nuk kemi parë asnjë e as dëgjuar ndonjë person me uniformë. Nuk dimë gjë” thotë kryefamiljari F.D nga Brodeci.

Policia nuk ka verifikuar asgjë konkrete nga denoncimet për goja patrullimet dhe legjitimimin nga uniformat e  zeza.

Deklaratës së zëvendësministrit të policisë, Zemri Qamili, për uniformat e zeza, nuk i del përpara asnjë hallkë e strukturave policore. Policia e Tetovës nuk e thotë asnjë fjalë më shumë nga ajo që është thënë zyrtarisht nga MPB.
Zëdhënësi, Marjan Josifovski, nuk mund të flasë asgjë më shumë për denoncimet në policinë e Tetovës. Ai për Portalb, as pohon dhe as mohon për rastet ku qytetarët kanë paraqitur se janë legjitimuar nga uniformat e zeza.

Demiri: Organet e shtetit  veprojnë me struktura diskrete që popullata nuk i njeh

Analisti politk Alajdin Demiri, thotë për Portalb se ditëve të fundit vërehet një situatë kur organet e shtetit, veprojnë në bashkësi me strukturat policore, posaçërisht ata të strukturave diskrete që popullata nuk i njeh .

“Kjo në të vërtetë paraqet një tendencë të terrorizimit të popullatës, të frikësimit të popullatës për atë që mund të ndodh. Ndërsa problem është shumë më i thjesht dhe më i lehët. Strukturat e inspektoratit kanë mandate të hynë vetëm dhe jo të thirrin në ndihmë strukturat e ndryshme të policisë. E gjithë kjo është terrorizim i popullatës. Në këtë fazë shqiptarët janë përgjegjës, ndërsa faza që do të pasojë do të jenë edhe maqedonasit, posaçërisht ata të opozitës, për arsye se ky pushtet i seleksionon tragetet e veta që duhet të eliminohen. Maqedonasit që do të goditen do të jenë jo të VMRO-së, por  të tjerët. Ky është alarmi duhet të pengohet ky pushtet nga veprimet e veta”, thotë për Portalb, Alajdin Demiri.

Sinani: Spin doktorët e partive politike të prodhojnë diçka për të tërhequr vëmendjen e opinionit

“Në Maqedoni tashmë është bërë traditë që gjithmonë kur shpërthen ndonjë krizë, çfarëdo qoftë ajo, ekonomike, politike… spin doktorët e partive politike janë të gatshëm të prodhojnë diçka me të cilën do ta tronditin opinionin vetëm e vetëm që fokusi i vëmendjes së qytetarëve të zhvendoset diku tjetër. Të tilla janë edhe deklaratat e fundit të lidershipit aktual politik më vend, të cilët me paraqitjet e tyre vetëm se hedhin vaj… Kultura serioze institucionale, nuk lejon gjëra të këtilla, por këtu në Ballkan ‘kultura’ është diçka tjetër, këtu mundet gjithçka të ndodhë”, thotë Ismail Sinani për Portalb.

Lajme të ngjashme

Back to top button