Protesta kundër ndotjes së ajrit, çka duhet të dinë qytetarët?

Ka disa vite që Tetova me rrethinë po përballet me një problem shumë të madh, atë të ndotjes së ajrit. Shumica e qytetarëve nuk janë të vetëdijshëm me pasojat që ju kanosen, dhe kjo i ka dhënë qeverisë rehatllëkun për ta shndërruar këtë qytet në një Aushvic të hapur ku helmohet gjithkush, pa dallim.

Problemi:

Ndotja e ajrit bëhet në disa mënyra duke nisur nga gazrat e ndryshëm që lëshohen në ajër nga oxhaqet e fabrikave, amvisëritë, djegia e mbeturinave në deponi të egra, lëvizja e tepërt e automjeteve, etj. Ajri i ndotur përmban disa elemente helmuese, një nga të cilat janë grimcat PM10 të cilat janë klasifikuar si grimca kancerogjene nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Sasia e lejuar e këtyre grimcave në një metër kub ajër është vetëm 50 mikrogramë, përderisa në Tetovë prezenca e tyre mesatarisht është 5-6 herë më e madhe, dhe në ekstremet më të skajshme (disa herë) ka qenë edhe 20 herë mbi masën e lejuar. Matjet që tregojnë praninë e këtyre grimcave në ajër kryhen nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Nga analizat e kryera rezulton se këtë ndotje të ajrit e shkaktojnë disa palë, siç janë amvisëritë, automjetet, djegia e mbeturinave nëpër deponi, si dhe ndotësi më i madh i identifikuar në këtë rajon është kompania Jugohrom e cila nuk ka vendosur filtra ekologjikë.

Shkaktarët dhe Zgjidhja e Problemit:

Problemi kërkon vëmendje të menjëhershme, biles autoritetet janë vonuar disa vite në gjetjen e zgjidhjes për këtë çështje.

  • Kontraktori që ka marrë përsipër të operojë shkritoren “Jugohrom” në komunën e Jegunovcës duhet të instalojë filtra ekologjikë për të parandaluar përhapjen e helmeve të ndryshme në ajër. Në marrëveshjen e tyre me qeverinë e Republikës së Maqedonisë ata janë zotuar që do të vendosin filtra ekologjikë, por një gjë të tillë s’e kanë bërë deri tash. Plani operativ i kësaj kontrate parasheh që Jugohrom duhej të investonte diçka më shumë se 12 milionë euro në 5 vite për të mos ndotur ajrin, tokën dhe ujin në këtë rajon, por një investim i tillë nuk është bërë asnjëherë. Ky problem i konstatuar nga sektori civil është konfirmuar nga qeveria e cila disa herë e ka kërcënuar gjigantin rus me mbyllje, por të gjitha këto kërcënime kanë qenë sa për sy e faqe. Udhëheqësit e Jugohrom me arrogancë të madhe kanë vazhduar të shpërfillin kontratën e punës, ligjet e vendit dhe mbi të gjitha jetët e mbi 200,000 banorëve të Tetovës me rrethinë.
  • Në Tetovë dhe rrethinë ekzistojnë disa deponi të egra dhe ilegale të cilat po dëmtojnë ambientin edhe më tej. Një e tillë ndodhet në hyrje të Tetovës, fare pranë stacionit të Policisë Republikane. Qytetarë të ndryshëm kanë raportuar nëpër rrjetet sociale se gjatë natës dikush ju vë flakën mbeturinave duke lëshuar në ajër llojlloj gazrash toksikë. Ndërtimi i incineratorëve dhe reciklimi i mbeturinave në shumë vende kontribon edhe në prodhimin e energjisë që mund të pajisë një pjesë të bukur të qytetit, por tek ne kjo është një luks i paparashikuar.
  • Janë raportuar poashtu një numër biznesesh të papërgjegjshme të cilët djegin materiale, goma, vajra të ndryshëm në ajër të hapur. Kjo edhe më tej e rëndon ajrin e helmuar. Nuk kemi dëgjuar (së paku nëpër media) se inspektorët komunalë i kanë shqiptuar gjoba ndonjë biznesi të këtillë, megjithëse çdo ditë dëgjojmë se gjobohen kompanitë që s’përdorin kasa fiskale me GPRS…
  • Ngrohja me dru gjatë muajve të dimrit poashtu është një nga shkaktarët e këtij problemi, por në një shtet ku çdo fature të energjisë i shtohet tatim prej 51% ngrohja me energji është një luks i rezervuar vetëm për kastën e lartë shoqërore, e cila përbën një pjesë fare të vogël të banorëve të këtij qyteti me ajër të helmuar.
  • Mungesa e transportit të organizuar urban në Tetovë i shtyn qytetarët që të përdorin veturat e tyre për pak e për shumë. Mungesa e vendparkimeve publike e rëndon edhe më shumë këtë problem. Komuna duhet të angazhohet më seriozisht për zgjidhjen e këtij problemi dhe problemeve tjera të përmendura këtu që janë nën përgjegjësinë e komunës.
  • Mungesa e theksuar e hapësirave të gjelbërta në qytet është poashtu një problem i madh i cili ndikon në gjendjen e përgjithshme të ndotjes në ajër. Komuna duhet të shpallë zona të gjelbërta ku do ndalohet qarkullimi me vetura.

Sigurisht që ekzistojnë edhe shkaktarë të tjerë dhe zgjidhje të tjera për këto probleme, por për momentin duket se mungon vullneti dhe gatishmëria reale për t’i zgjidhur këto probleme.

Kush rrezikohet nga ajri i helmuar?

Për t’i rënë drejt e në thelb – rrezikohet çdokush. ABSOLUTISHT ÇDOKUSH. Çdo qenie e gjallë. Ajri i helmuar nuk diskriminon as në baza partiake, as në baza fetare, as në baza nacionale, as në baza gjinore. Ajri i helmuar rrezikon absolutisht çdokënd.

Çfarë është bërë deri tani?

Në regjistrin qendror ka të regjistruara disa shoqata ekologjike që veprojnë në qytetin e Tetovës por asnjë nga to nuk është angazhuar seriozisht për të ofruar zgjidhje apo për të ngritur vetëdijen qytetare mbi këto probleme reale.

Në dhjetor të vitit 2013 dhe më pas në janar të vitit 2014, një grup qytetarësh të shqetësuar, (ku bëj pjesë dhe vet) u organizuan për të kërkuar zgjidhje të këtij problemi. Kërkesat tona në asnjë moment nuk kanë qenë të mbyllet Jugohromi, por që i njëjti të vendosë filtrat ekologjikë, ashtu siç i vendosën dhe ndotësit e tjerë.

  • Ne kërkuam nga qeveria të gjejë mekanizma për të detyruar Jugohromin të kryejë obligimet për mbrojtjen e ambientit të cilin po e ndot me të madhe.
  • Kërkuam që komuna të zgjidhë çështjen e deponive të egra në rajonin e Pollogut.
  • Kërkuam biles nga qeveria që gjatë muajve të dimrit të subvencionojë me 33% faturat e energjisë elektrike në qytetet të cilat kanë ndotje të rrezikshme, me çka do zvogëlohej përdorimi i lëndëve djegëse për ngrohje.
  • Kërkuam nga inspektoratet përkatëse të identifikojnë dhe të ndëshkojnë sipas ligjit bizneset dhe individët që djegin goma dhe materiale të tjera të dëmshme si në qytetin e Tetovës poashtu edhe në komunat përreth.

Këshilli për organizimin e protestave kundër ndotjes kancerogjene (që tash njihet me emrin Eco Guerilla) organizoi dy protesta në Tetovë. Në protestën e parë (në Dhjetor 2013) dolën diçka më pak se 300 persona, përderisa në të dytën (Janar 2014) mezi u numëruan 50 qytetarë. Interesimi i dobët i qytetarëve të Tetovës për të marrë pjesë në këto protesta i dha sinjal qeverisë se është krejtësisht në rregull të vazhdohet me helmimin sistematik të qytetarëve të Tetovës dhe fushës së Pollogut. Kjo u vërtetua me 1 Nëntor 2014 kur Jugohromit iu dha afat tjetër për të vendosur nëse do installojë filtrat ekologjikë ose jo.

Kush duhet të protestojë dhe pse?

Duhet të protestojë çdo qytetar i Tetovës me rrethinë, pavarësisht përkatësisë nacionale, përkatësisë etnike, fetare, partiake, pavarësisht moshës apo bindjeve të ndryshme personale. Duhet të protestojë çdo qytetar që merr frymë e që pas disa vitesh mund të bredhë dyerve të spitaleve për të kërkuar ilaç për mushkërritë me kancer.

Duhet të protestojë çdo njeri i gjallë, sepse nëse ndodh që të dalin pak qytetarë, kjo vetëm do i dërgojë qeverisë një sinjal se mund edhe më tej t’ia vazhdojnë afatet Jugohromit, dhe që banorët e Tetovës me rrethinë të vazhdojnë të helmohen.

Duhet sidomos të protestojnë të punësuarit në Jugohrom, ata që janë në vijën e parë të helmimit. Ata duhet të kuptojnë se me vënien e filtrave, Jugohrom do ju garantojë atyre së paku 4-5 vite të tjera punë, e jo siç është tani me kontrata 2 mujore dhe nën kërcënimin e humbjes së vendeve të punës.

Protesta duhet të shërbejë për sensibilizim e masës, për t’i bërë me dije edhe qeverisë por edhe organizmave ndërkombëtare se Tetova po shndërrohet në një komorë gazi ku helmohen qytetarët pa pikën e mëshirës.

Kjo protestë nuk ka agjendë tjetër përpos asaj civile dhe ekologjike. Ne si organizatorë do distancohemi nga çfarëdo tendencë eventuale e dikujt për t’i dhënë kësaj proteste një ngjyrim tjetër. Ne jemi thjeshtë të interesuar për të zgjidhur problemin, dhe e dimë që kjo s’do jetë diçka e lehtë prandaj jemi përgatitur për një betejë të gjatë që t’i sigurojmë qytetit tonë një të drejtë elementare dhe kushtetuese.

Çdonjëri duhet të jetë një Eco Guerilla…

 

Lajme të ngjashme

Back to top button