Qeveria: Gjithçka është sipas ligjit dhe procedurës, më mirë është të ndërtohet se të paguhen qira

Për ndërtimin e objektit të Këshillit për radiodifuzion ta parcela në afërsi të hotelit “Bristol”, janë respektuar të gjitha procedurat, në pajtim me ligjet ekzistuese. Ky rast nuk duhet të shfrytëzohet për promovim politik, pasi që me ndërtimin e tij, shteti do të kursejë para, të cilat deri më tani janë dhënë për qira, e poashtu do të mundësohet edhe punë në sektorin ndërtimor, deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Aleksandar Gjorgjiev.

“Të gjitha veprimet, të gjitha proceset në lidhje me rregullimin e tokës ndërtimore dhe përgatitjen për ndërtim në rajonin qendror të qytetit janë dhe do të kryhen në pajtim me ligjet. Kjo është e drejtë ligjore, por njëherësh edhe obligim ligjor për çdo institucion, pavarësisht nëse është lokal apo qendror. Investitori shtetëror, Këshilli për radiodifuzion, i cili duhet të ndërtojë objekt në lokacionin e dhënë, i ka marrë të gjitha dokumentet e nevojshme nga njësitë e pushtetit lokal për të filluar me ndërtimin. I ka paguar të gjitha taksat komunale në bazë të së cilave njësitë e pushtetit lokal kanë për obligim t’ia përgatisin tokën që të mund të fillohet me ndërtim”, tha Gjorgjievi në mbrojtje të qëndrimit qeveritar për prerjen e drunjve në afërsi të hotelit “Bristol”.

Siç theksoi Gjorgjievi, obligim i çdo institucioni të pushtetit qendror dhe lokal është ta garantojë sigurinë juridike dhe ekonomike të çdo subjekti, të çdo investitori, pavarësisht nëse është shtetëror apo privat, i cili i ka marrë të gjitha lejet për ndërtim, i cili i ka paguar të gjitha taksat komunale, i cili ka planifikuar investim afarist dhe i cili i ka realizuar. 

“Çështje kryesore në këtë apo në raste të tjera janë qiratë, e jo largimi i drunjve, pasi që në periudhën e deritanishme, Qeveria ka dëshmuar se kujdeset për pyllëzimin e Republikës së Maqedonisë si asnjë qeveri deri më tani në periudhën e kaluar. Deri më tani ka mbjellë rreth 40 milionë fidane, ndërsa në tetor dhe nëntor do të mbillen edhe 5 milionë fidane”, tha zëdhënësi Gjorgjiev. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button