Vetëvendosje: Qeveria Thaçi shpall 230 mijë vende pune!

Sot aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje organizuan në qytete të Kosovës aksionin simbolik “Konkurs Punësimi”. Aktivistët shpërndanë “njoftime” nga Kryeministri Thaçi për hapjen e 230 mijë vendeve të reja të punës ku paga minimale mujore do të jetë 700 euro.

“Të zhytur brenda përditshmërisë, të përthithur nga situata ku edhe publikimi i skandaleve po duket gjendje normale, u desh të shihnim mijëra bashkëvendës teksa lëshojnë vendin, të shohim vuajtjet e tyre nëpër kampe e burgje për të na u tërhequr vëmendja mbi gjendjen e padurueshme ku jemi katandisur. Njerëzit po ikin masivisht, si dikur nga pushtuesit e huaj”, thuhet në një kumtesë të Vetëvendosjes, transmeton Gazeta Tribuna.

Qeveria e Kosovës në mënyrë shumë të paskrupullt, problemin e ikjes masive të qytetarëve nga vendi, e trajtoi si çështje që lidhet me krimin e organizuar si dhe me prirjen e qytetarëve për të bërë jetë luksoze. Krejt kjo, për ta shfajësuar veten, duke iu shmangur turpshëm trajtimit të shkaqeve të vërteta që kanë si pasojë ikjen masive, e që janë padyshim mjerimi e kushtet e rënda ekonomike e sociale, për të cilat shkaktarja kryesore është po e njëjta Qeveri.

“Ndërkohë që Ministrat e Kryeministrit Thaçi, u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos e lëshojnë vendin, këtu brenda i kanë vënë ata në kuadrin e një mizerje të gjithanshme ku 80% jetojnë përgjithësisht në varfëri, rreth 30% në varfëri ekstreme, e rreth 50% e qytetarëve të këtij vendi janë të papunë”, thuhetpos tjerash ne reagimin e Vetëvendosjes.

Asnjë prej Ministrave e aq më shumë Kryeministri nuk kanë as të drejtë morale e as politike që të thërrasin për mos ikje nga vendi. Gjëja më e vlefshme në këto momente do të ishte ikja e kësaj Qeverie bashkë me “lulëzimin ekonomik” që i solli Kosovës.

Lajme të ngjashme

Back to top button