Evropa “shpërngulet” në Dibër për Bajram

Këto ditë, Dibra është përqëndruar në pritjen e të afërmve të tyre nga vendet e mërgimit, kryesisht nga Evropa. Nëpër qytet, në orët e vona të mbrëmjes, do të shohësh plot e përplot njerëz, gra, fëmijë, të cilët bisedojnë në internet me të afërmit e tyre dhe me entuziazëm të madh e presin datën fikse për të shkuar në aeroportin e Shkupit apo të Ohrit, për t’i pritur familjarët e tyre.

Mbi njëmijë mërgimtarë priten të vinë këto ditë në qytetin tonë, kryesisht nga Gjermania, Itali, Zvicra, Belgjika  dhe vendet e tjera të perëndimit. Uji i liqenit të Dibrës dhe Radika me raritetin e saj troftën, për turistët që vijnë nga mërgimi dhe për dibranët është mjaft i bukur, prandaj dhe e shfrytëzojnë në maksimum.

Tani, gjatë muajit gusht, ka edhe një numër të konsiderueshëm të turistëve edhe nga SHBA-të, të cilët në këtë kohë e mbajnë gjallë jetën e natës. Sheshi i qytetit ka aq shumë njerëz , sa pothuajse është e pamundur të kalosh nga njëra anë në tjetrën.

Mirësjellja dhe ndjenja e mikpritjes dibrane i bëjnë këta mërgimtarë të derdhin lot nga malli që kanë për Dibrën e vogël, qytet me një rrugë kryesore, me ca shitore të vogla, me ndërtesa të vjetra, por me zemër të madhe.

Gjatë festës së Bajramit pritet të vijnë edhe dibranë që punojnë dhe jetojnë në Shkup, Tetovë, Prishtinë dhe në këtë ditë qyteti merr një pamje festive.

Në anën tjetër, pas muajit të shenjtë të Ramazanit, agjencitë turistike ofrojnë oferta të ndryshme për pushimet verore. Sipas tyre oferta më të mëdha ka për në Shqipëri, Durrës, Vlorë, Shën Gjin, por edhe për në Turqi, Bullgari, dhe kjo varet nga xhepi i dibranëve.

Por, Dibra ka zgjidhje edhe për ata që nuk kanë xhepa të thellë, është aty liqeni i Dibrës, kua ata mund të freskohen në këto ditë të nxehta vere. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button