Olta Gixhari thyen tabu, pranon të luajë lesbiken në filmin e ri të Fatmir Koçit

E kemi parë të shkëmbejë puthje kinemaje me ndonjë mashkull në film, po kësaj here ajo do të thyejë tabunë si e para ndër aktoret shqiptare, pasi do të puthë një femër. Gjithmonë është shquar për natyrën e saj avanguarde, dhe që lë gjurmë në zgjedhjet që bën në protagonizmin e saj si aktore.

Kësaj here ofertës së veçantë të regjisorit Fatmir Koçi, Olta Gixhari ia ktheu me një “Po” të guximshme. Ka pranuar të luajë rolin e vajzës që pëlqen femrat dhe jo meshkujt, në filmin më të ri artistik me metrazh të gjatë të regjisorit dhe skenaristit Fatmir Koçi, me titull ”Amerika nën çatinë time”.

Pas disa xhirimeve që janë realizuar në Amsterdam, sheshxhirimi do të jetë Shqipëria, ku luan edhe Olta, ku do të xhirohet këto ditë. Në një aventurë dashurie me një femër tjetër, e cila quhet Flonja, një vajzë shqiptare që jeton në Paris, ajo është dominante, siç është dhe natyra e saj. Në filmin ku luan dhe aktori i njohur, Blerim Destani, Olta do të tërheqë vëmendjen kryesore për historinë e veçantë në këtë film, ku ajo dashurohet me një femër misterioze, edhe pse në pamje të parë e zakonshme.

Jo pa qëllim regjisori ka zgjedhur Oltën, si të bukurën fatale dhe vajzën tjetër, Flonja, me një portret që nuk bie në sy, siç ndodh në çiftet e krijuara mes të njëjtit seks. Olta do të ketë rolin e udhëheqëses në këtë marrëdhënie intime mes femrave, dhe për këtë është menduar që të ndryshojë ngjyrën e flokëve, duke e braktisur imazhin e biondes spikatëse.

Ndoshta fansat për këtë ndryshim të saj të look-t nuk do të ishin dakord, për faktin se do të dilte nga profili i saj i veçantë i biondes hokatare, që ka krijuar gjatë këtyre viteve karrierë në teatër dhe kinema.

Ky është roli i saj i ri për kët vit, pas atij të 20-vjeçares në përjetimet e një dashurie të pamundur në serialin triller “Millenium” të Besnik Bishës.

Ndërkohë që publiku i huaj e ka njohur Oltën si aktore joshëse gjatë interpretimit të saj në filmin “Pharmakon” të Joni Shanajt, që konkurroi në akademisë e çmimeve “Oscar”, një eveniment kinematografik, pjesë e të cilit pritet të jetë dhe ky film i ri i Koçit, “Amerika nën çatinë time”.

Dihet që tashmë historitë e dashurisë të të njëjtit seks janë tendencë e kinemasë botërore për kundërshtitë që hasin në shoqëritë e ndryshme në botë, dhe reagimet negative ndaj tyre. Pikërisht për fatalitetin e këtyre marrëdhënieve, që ende nuk pranohen nga shoqëria si histori normale, kinemaja i ka përfshirë në subjektet e saj plot intrigë.

Në maj të këtij viti filmi mbi dashurinë lesbike të dy vajzave të reja triumfoi mbi të gjithë filmat e tjerë në kompeticionin më të rëndësishëm kinematografik “Palma e Artë”. “Jeta e Adelës” fitoi “Palmën e Artë” në edicionin e 66-të të Festivalit të Filmit në Kanë, një film i Abdellatif Kechiche, që rrëfeu historinë e dashurisë mes dy vajzave, me protagoniste Adele Exarchopoulos e Lea Seydoux.

Le të shohim se si do të vijë kjo histori dashurie e dy vajzave shqiptare në filmin më të ri të Fatmir Koçit, dhe si do të pritet në kompeticionet kinematografike, destinacionet kryesore të këtij filmi artistik./Panorama

Lajme të ngjashme

Back to top button