Të fshehtat e atentatorit të Bostonit

Një nga vëllezërit e dyshuar për atentatin në maratonën e Bostonit mbante materiale të ekstremit të djathtë në prag të sulmit, raporton BBC.

Tamerlan Tsarnaev ishte regjistruar në një seksion që ekspozonte supremacinë e racës së bardhë dhe teoritë konspirative, si dhe kishte lexuar materiale për vrasjet në masë.

Deri tani vëllezërit Tsarnaev ishin konsideruar thjesht si xhihadistë radikalë.

Reporterët e BBC kanë kaluar muaj të tërë duke folur me shokët e atentatorëve, në përpjekje për të zbuluar rrënjët e radikalizimit të tyre.

Nga hetimet u zbulua se Tamerlan Tsarnaev ishte në zotërim të artikujve që argumentonin se sulmet e 11 shtatorit dhe ai në Oklahoma Siti në vitin 1995 ishin komplote qeveritare, transmeton REL.

Një tjetër material në zotërim të tij ishte për “dhunimin e të drejtave për armëmbajtje”. Ndërsa një material mbi supremacinë e racës së bardhë thoshte se “Hitleri kishte një qëllim”.

Tamerlan Tsarnaev kishte gjithashtu materiale mbi atë se çfarë motivonin vrasjet në masë dhe shënime se si autorët vrisnin dhe gjymtonin viktimat me gjakftohtësi.

Gjithashtu, nuk mungonin materialet për avionët amerikanë të telekomanduar që vrisnin civilë dhe për vështirësitë e persona të burgosur në Guantanamo.

Tamerlan Tsarnaev vdiq në një shkëmbim zjarri gjatë ndjekjes që forcat speciale i bënë atij pas atentatit, ndërsa vëllai i tij Djokar u kap pak më vonë, pasi u plagos nga efektivët e specialeve, që zhvilluan një gjueti të vërtetë njeriu dhe vendosën shtetrrethimin në qytetin e Bostonit.

Lajme të ngjashme

Back to top button