Sërish të burgosurit për rastin “Monstra” mbeten pa ushqim të mjaftueshëm! 

Familjarëve të të akuzuarve për rastin “Montsra” sërish nuk u lejohet që të fusin më shumë se 5 kilogram ushqim, gjë që është kundër rregullores së burgjeve.

Familjari Bedri Ajdari bën të ditur për Portalb, se kjo është hera e dytë që ndodh një gjë e tillë, edhe para dy javëve iu ndalua futja e ushqimit në burg në sasi prej më shumë se pesë kilogram.

“Ky është diskriminim, sërish nuk na u lejua të fusim ushqim sipas rregullores. Edhe kësaj radhe policët te dera na peshuan vetëm 5 kilogram ushqim. Unë kërkova një rregullore e cila vërteton këtë ndryshim sepse më herët lejoheshim të fusnim nga 10 kilogram kurse prej shpalljes së aktvendimin na ndodh neve kjo gjë”, tha për Portalb, Ajdari.

Nga ana tjetër Avokati i Popullit, Ixhet Memeti bën të ditur për Portalb, se familjarët duhet të ankohen drejt Ministrisë së Drejtësisë për këtë çështje.

“Nëse në burgje nuk lejohet futja e më shumë se 5 kilogramëve ushqim, atëherë ata duhet të sanksionohen dhe familjarët duhet të ankohen në Ministrinë e Drejtësisë. Nëse një gjë e tillë është e vërtetë dhe është thyer rregullorja atëherë unë vetë do të sugjeroj dhe rekomandoj që ankesa të pranohet”, tha për Portalb, Memeti.

Ai njofton që se shpejti do të kryej vizitë në këtë burg ku do të njoftohet nga afër me problemet dhe kushtet e përgjithshme të tij.

I shqetësuar për këtë rast, Adjari thotë se mungesa e ushqimit ka ndikuar dukshëm tek të burgosurit.

“Ishim dje në vizitë i pamë dhe që dy javë kanë pasur mungesë të ushqimit, ngase ushqimi i burgut është i tmerrshëm dhe nuk hahet as nga kafshët. Kushtet janë të tmerrshme, mundem të them se është burgu më i keqi në Maqedoni. Më e keqja është se unë kërkova ndryshimin në rregullore dhe nuk ma dhanë. Si të ankohem unë kur nuk kam dëshmi për atë që e them, kur dëshmitarë janë vetë ata policët që ma thonë këtë gjë dhe familjarët tjerët që duan të futen në vizitë”, tha Ajdari.

Avokati mbrojtës Naser Raufi po ashtu tha se për këtë gjë do të ankohen, sepse po bëhet diskriminim.

“Edhe rregullorja e burgut të Manastirit nuk do të kalojë e pa sanksionuar. Ne tonën do e bëjmë do ankohemi dhe kemi të drejtë juridike që ta bëjmë këtë. Është thyer rregullorja me ligj lejohen deri në 10 kilogram ushqim kurse familjarëve u kanë thënë vetëm pesë. Ky është një diskriminim”, tha për Portalb, Raufi. /Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button