Në bibliotekat e Strugës, libra lexojnë vetëm nxënësit

Në Strugë, funksionojnë dy biblioteka, ajo e qytetit dhe e Shoqatës Bamirëse Humanitare ”Nëna Terezë”.  E para ka një fond prej rreth 80 mijë librash, ndërsa e dyta gjithashtu ka një fond mjaft të kënaqshëm librash edhe pse është themeluar para vetëm disa viteve. 

Në bibliotekën e qytetit në Strugë, fondi i librave shqip ka filluar të shtohet vetëm këtyre viteve të fundit, kur në të janë inkuadruar disa kuadro shqiptarë, ndërsa tanimë është e njohur se  nga kjo bibliotekë, në kohën e ”luftës kundër nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar” janë hequr nga përdorimi librat e autorëve më të njohur shqiptarë. 

Biblioteka e Shoqatës”Nëna Terezë”, ka në fondin e saj kryesisht libra të botuara viteve të fundit nga Shtëpitë Botuese nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, ndërsa të punësuarit shqiptar në Bibliotekën e qytetit, që mban emrin e Dimitar dhe Konstantin Milladinovit, po bëjnë përpjekje për ta furnizuar bibliotekën me titujt më të rinj të letërsisë shqiptare dhe asaj botërore të përkthyer në gjuhën shqipe edhe pse në këtë qëllim të tyre ato ballafaqohen me mungesën e mjeteve të mjaftueshme materiale për t’ia arritur këtij qëllimi. 

Kur jemi tek të punësuarit shqiptarë në këtë bibliotekë duhet të theksojmë se numri i tyre është minimal, në të punon një drejtor programor dhe vetëm një bibliotekiste.

Krahas këtyre bibliotekave, në rajonin e Strugës funksionojnë edhe disa biblioteka tjera në kuadër të shkollave fillore, por fondi i tyre lë për të dëshiruar, sepse ato vazhdojnë të ruajnë vetëm atë fond që  kanë arritur ta sigurojnë para disa dekadave. 
Ndaj edhe  ata që janë të interesuar për librin, në  një pjesë dërmuese për t’u furnizuar me to drejtohen në Bibliotekën e Qytetit dhe atë të Shoqatës Bamirëse Humanitare ”Nëna Terezë”.  

Në këtë drejtim, duhet të theksohet se lexues më të apasionuar të librit, janë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. Në fakt, ato vijnë më tepër nëpër këto biblioteka për të marrë libra, të cilat në të shumtën e rasteve janë të obliguar t’i lexojnë si lektura shkollore. 

Nga ana tjetër dyert e këtyre bibliotekave nuk i shohin asnjëherë, apo i shohin rrallë, intelektualët e këtij rajoni, të cilët siç dihet janë të shumtë. Me gjasë disa prej tyre lexojnë librat që janë pasuri e fondit të tyre shtëpiak. 

Në Bibliotekën e qytetit në Strugë, ka edhe një sallë leximi, por ajo nuk shfrytëzohet nga lexuesit edhe përkundër faktit që është pajisur me të gjitha kushtet e nevojshme për këtë qëllim. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button