PANAIRI I HESHTJES

Heshtja ndër ne është mbretëreshë e mënyrës së jetës. Heshtin nëpunësit në karriget e tyre çehoviane. Heshtin punëtorët e mbetur në rrugë. Heshtin bujqit e mbetur pa perspektivë. Fshatarët e hedhur në mjegull. Heshtin prindërit e nxënësve. Të studentëve. Të institucioneve parashkollore. Një fjalë s’e thonë arsimtarët. Nuk u dëgjohet zëri alamet profesorëve universitarë. Akademikëve. Heshtin vetë studentët. Heshtin historianët, të cilët janë të thirrur ta thonë dhe ta mbrojnë të vërtetën për të kaluarën. Edhe të papunët. Edhe argatët (se nuk duket se ka punëtorë në hapësirën tonë etnike). Edhe ish të burgosurit e ish të përndjekurit politikë. Zëri i sindikatave nuk dëgjohet (ka apo s’ka sindikata në këto anë?). Institutet kanë marrë ngjyrë të korridoreve të Kafkës. Shumë shtëpi botuese të Shqipërisë shijnë si në lamë të thive mbi veprat e autorëve shqiptarë duke u tallur me krijimtarinë vendore.

Te ne janë të varura nga sadakaja e një anëtari të Komisonit për botime të Ministrisë së kulturës të cilin e zgjedh partia për meritat jokulturore. Shtëpive botuese shqiptare as pët s’u bën syri se shkelin me pronën e shkrimtarëve e të përkthyesve. Prokurorëve e gjykatësve s’u ha palla për këtë punë. Akademitë nuk bëzajnë. Heshtin të gjithë. Nuk i nxit njerëzit tonë e nuk i revolton as gjendja e vështirë sociale, as gjendja e mjerë e arsimit të këtushëm, as shëndetësia me këmbë të thyera dhe me një ministër amator që më shumë është inspektor i cili i ndjek mjekët se sa një funksionar i cili duhet të hapë perspektiva për shëndetësinë, as fragmentarizimi i skajshëm i faktorit politik shqiptar në Maqedoni dhe lufta e pacipë midis politikanëve tonë gjithandej për privilegje personale dhe për pasurim të pandershëm. As ndjekja e përhershme, e paskrupullt dhe e turpshme e nëpunësve dhe intelektualëve shqiptarë nga partitë shqiptare që vijnë në pushtet dhe zëvendësimi i dhunshëm i nëpunësve të thjeshtë e i personelit teknik me “kuadro” shqiptare të dëgjueshme të nënës parti. As rënia drastike e natalitetit ndër ne nuk i bën përshtypje kujt. As kontrollimi i paparë i mediave.
Nuk reagon kush institucionalisht kur elementet fashiste të shteteve fqinje bëjnë ballo vampirësh në Boboshticë, kur ministritë e vendit na përjashtojnë nga historia dhe na i mohojnë luftëtarët dhe heronjtë e kombit. Nuk e shqetëson kënd  mërgimi i shpejtuar i të rinjve. As shitja e femrave të pambrojtura shqiptare si makina për të lindur në viset e prapambetura të Serbisë, të Maqedonisë, që do të thotë si skllave të pleqve dhe të burrave të paaftë të popujve “superiorë”. As getoizimi i lagjeve shqiptare në vendet ku janë të detyruar të jetojnë si minoritet nuk e mërzit askënd. As urbanizimi vrazhdë e i egër i këtyre lagjeve (pa kurrfarë infrastrukture) i cili i dënon fëmijët tanë që janë në djep duke u mbyllur të ardhmen. As fenomeni i zbrazjes marramendëse të fshatrave tona nga djemtë. S’e çojnë mendjen fare “baballarët e kombit” te vajzat shqiptare që mbeten pa martuar, e të kërkojnë instrumente politike e ekonomike të cilat mund ta ndalin mërgimin e pakontrolluar të djemve ku mbeten përgjithmonë e asimilohen. As te kriza e cila i ka nxjerrë dhëmbët e po kanoset të na e marrë copën e bukës sonë të përditshme. Nuk i mundon ata fakti për lidhjet e natyrshme që duhet t’i kenë Shqipëria, Kosova, Maqedonia, por edhe Greqia e Italia dhe vendet perëndimore (ku na kanë mbetur të harruar emigrantët që janë ajka e kombit) e në këtë kuadër as pengesat e qarkullimit të lirë të njerëzve, të shtypit e të librave. As paratë e majme shqiptare me të cilat do të petrifikohet gënjeshtra se antika e Lekës së Madh është sllave.

Me paratë tona, pra, do të realizohet e do të çohet në vend “një ide”, e cila do të na sjellë edhe shumë e shumë shpenzime të cilat do të paguhen nga lëkura jonë, si “pasuri” e vetme që na ka mbetur. Nuk flet kush nga kompetentët as për shkollat shqipe të cilat nuk ndërtohen me decenie. As për pozitën kurrfare të gjuhës sonë shqipe brenda shtetit shqiptar dhe të vendeve ku shqipja është e garantuar me kushtetutë për t’u përdorur si gjuhë zyrtare qoftë e parë e qoftë e dytë. Nuk na turbullon ujët as rrënimi i institucioneve të pakta që mezi marrin frymë në shtrëngesat e hekurta të mediokritetit. As shkatërrimi i dhunshëm i Institutit për Trashëgiminë Kulturore të Shqiptarëve. As mosfunksionimi i Akademive të arteve e të shkencave në Kosovë. As plogështia e instituteve për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë shpirtërore të shqiptarëve, siç veprojnë të gjitha shtete normale. As mosemërtimi për së mbari i rrugëve, shkollave  dhe i objekteve të tjera publike ku jetojmë. As gënjeshtrat e vazhdueshme për sukseset në punësim, në ekonomi e ku ta di unë. Nuk e thotë kush më një fjalë për atë Marrëveshjen e shkretë të Ohrit të mbetur në kornizën e saj të përhitur e të varur në muret e pluhurosura e plot rrjeta merimangash të arkivave që “dëshmon” për një kurrgjë fare.

E heshtin Jugohromin që e vret popullsinë dhe florën e faunën e Tetovës me gazra helmuese. As për Kosovën ku po ata njerëz që kanë bërë krime mbi popullin e pambrojtur shqiptar, do të vijnë të bëhen shefa të policisë në Kosovën e veriut. Nuk jep pesë para kush nga politikanët për fëmijët e emigrantëve tonë, të cilët në shumicën e herëve duhet ta kalojnë jetën si qytetarë të rendit të dytë, të fyer e të parespektuar si njerëz. Njerëzit tonë nuk e ngrenë as gishtin e vogël t’ua tërheqin vërejtjen atyre të cilët ia bëjnë si ia bëjnë e na e marrin votën e bëhen deputetë, ministra, prefektë etj., por pastaj kësaj vote nuk ia kthejnë borxhin. Nuk u duket gjë njerëzve tonë se kallaballëku partiak na poshtëron me folklorin politik dhe me faktin se partitë politike koten me kokën e mbështetur në bërrylat e mbretit mitik – Midasit, duke ia nëpërkëmbur interesat jetësore popullit, të ardhmen e fëmijëve, duke na e margjinalizuar inteligjencien e duke nxjerrë në sipërfaqe mediokritetin që pret në rend për kolltukë “të na përfaqësojë”. Askush nuk e ka thënë asnjë fjalë për rrezikun e dëmtimit të identitetit tonë shqiptar me “shpikjen” e “identitetit kosovar” dhe për burgosjen e veprimtarëve në kufi të Bllacës dhe për barazimin e kasapit me viktimën, siç ndodh tash me burgosjen e luftëtarëve të UÇK-së.

I kanë lënë rehat matrapazët e xhambazët ta hedhin poshtë, në baltë, çështjen shqiptare përmes grykësisë, pangopësisë me pushtet të imët personal që përmblidhet në një kolltuk, një veturë të përdorur, një sekretareshë, një telefon celular dhe ndonjë tender të marrë prapa shpinës së ligjit e ndonjëherë, besa edhe në një, këngë folklorike diku në zonat e thella. Nuk mërziten njerëzit tanë të qetë sepse tash e bëjnë gjumin e shpresës boshe.  E kanë marrë udhën e ecin duke i shkuar pas secili prijësit të vet, prijësit me të njëjtin titull të tregimit të Radoje Domanoviçit. Madje këtyre njerëzve tanë të mirë nuk ua prish rehatinë e nuk ua hap sytë as demokracia, as revolucioni informatik që po e shtyjnë botën me ngut përpara. Të gjithë heshtin. Heshtin. Heshtin.

Kurse xhandarmeria e shpirtit vazhdon t’i shkojë prapa Jozef  K.-së.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button