Të armatosur “deri në dhëmbë” janë kosovarët

Bazuar në statistikat e Policisë së Kosovës për konfiskimin e armëve të zjarrit jolegale, konkludohet se ende gjendet një numër i madh i armëve në posedim ilegal te qytetarët, vlerësojnë zyrtarë policorë, ekspertë të çështjeve të sigurisë dhe të çështjeve sociale.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë periudhës së gjashtëmujorit të parë të këtij viti, zyrtarët e policisë kanë hapur mbi 500 raste për armëmbajtje jolegale.

“Në kuadër të Policisë së Kosovës, për mbajtje, pronësi, kontroll po posedim të paautorizuar të armëve, janë hapur 587 raste, pra, për këtë gjashtë mujorin e parë të këtij viti. Bazuar në një situatë ku vendi ynë ka dalë, pas luftës, ende thuhet se ka armë nëpër duart e qytetarëve dhe për këtë ne kemi planifikime strategjike, afatgjate, si dhe plane konkrete në të gjitha drejtoritë rajonale policore., që dërgojnë në konfiskimin e armëve”, thotë Kelani.

Sipas Kelanit, gjatë muajve të verës, në ahengjet e ndryshme, qytetarët kanë përdorur armë të zjarrit, me arsyetimin e tyre, për të festuar. Policia e Kosovës kishte ndërmarrë fushatën për vetëdijesim, të quajtur “festo me zemër e jo me armë”.

Megjithatë, vetëm në rastet e ndërlidhur me ahengje dhe dasma, Policia e Kosovës ka hapur mbi 45 raste, janë ngritur mbi 35 kallëzime penale, janë arrestuar 54 persona, si dhe janë konfiskuar mbi 50 armë të kalibrave të ndryshëm.

Por, si e shohin ekspertët e sigurisë dhe të çështjeve sociologjike, posedimin e armëve ilegale si dukuri në Kosovë?

Ata vlerësojnë se armët jolegale të cilat gjendet në duart e qytetarëve, e kanë origjinën që nga lufta e fundit në Kosovë, 15 vjet më parë.

Nuredin Ibishi, ekspert i çështjeve të sigurisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se numri i madh i armëve ilegale në Kosovë, është rezultat, të cilin e shkaktojnë shumë faktorë.

Por, sipas tij, një nga arsyet është edhe inercioni i traditës së shqiptarëve.

“Rasti i Kosovës, është rast i veçantë, në kuptim të asaj që posedimi ilegal i armëve, gati se është krijuar traditë, për shkak të vet të kaluarës së Kosovës, nga aspekti i vet diskriminimit që është bërë ndaj popullit shqiptarë nën pushtetet e huaja. Në një formë, posedimi ilegal (i armëve), gati se është bërë një aspekt tradicional. Mirëpo, tash, mendoj se është koha që qytetarët e Kosovës të vetëdijesohen, të kuptojnë se është momenti që këto armë të largohen. Lidhur me sigurinë, tashmë i kemi institucionet e sektorit të sigurisë që janë funksionalizuar”, shprehet Ibishi.

Sociologu, Fadil Maloku, profesor në Universitetin e Prishtinës, duke folur për radion Evropa e Lirë, shpjegon një nga arsyet që qojnë individët e caktuar që të posedojnë armë ilegale.

“Posedimi i armës, në njëfarë mënyre, është një mesazh i qartë i një sigurie, i një krenarie dhe një lloj i satisfakcionit moral, që gjatë gjithë historisë është përcjellë. Fakti që akoma, edhe në ditët tona, në shekullin e revolucionit teknik dhe teknologjik, është bartë ky perceptim mbi armët, nënkupton që akoma kemi probleme të natyrës së ambientimit me rrethanat dhe me kulturën, traditën euro-perëndimore”, thekson Maloku.

Profesor Maloku ka shtuar se edhe 15 vjet pas luftës në Kosovë, institucionet e vendit nuk kanë punuar mjaftueshëm për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për rrezikun që mund të sjellin armët e zjarrit..

Ibishi vlerëson se heqja e armëve jolegale, mund të rregullohet përmes një ligji, i cili do të legalizonte ato armë, por vetëm në mënyrën që do t’i vinte nën kontroll ato..

“Të fillojnë fushatat e legalizimit të armëve dhe natyrisht, edhe ato që janë legale, që përfshihen në ato tiparet çfarë janë të armëve në ligjin për armët. Ato që legalizohen, le të legalizohen, ndërkaq për tjerat, në një formë, të dorëzohen dhe qytetarët të kompensohen për ato që dorëzohen në formë vullnetare –edhe pse ajo mbase nuk është vullnetare krejtësisht – të kompensohen për reciprocitet sipas armës së caktuar dhe këto definitivisht të hiqen nga posedimi ilegal”, thotë Ibishi.

Ndryshe, sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Kelanit, përdorimi i armëve, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, jo gjithmonë është bërë për ahengje.

Ai ka theksuar se gjatë gjashtë muajve të parë të vitit janë evidentuar 10 raste të vrasjeve, 7 prej të cilave janë raste të vrasjeve të rënda.

Si vrasje nga pakujdesia është evidentuar vetëm një rast.

Ndërkaq, 66 raste janë evidentuar si raste të vrasjeve në tentativë. Shumica e të gjitha këtyre veprave janë shkaktuar me armë zjarri, jolegale. /rel/
 

Lajme të ngjashme

Back to top button