Referendumi për emrin i pasuksesshëm pa shqiptarët

Referendumi eventual për zgjidhjen e çështjes së emrit të cilin e paralajmëron disa herë kryeministri Nikolla Gruevski nuk do të ishte i suksesshëm pa pjesëmarrjen e shqiptarëve në të vlerëson profesori universitar Stevo Pendarovski. Duke analizuar ligjin për referendum ai për Portalb thotë se një referendum nuk mund të jetë i suksesshëm në qoftë se nuk ka dalje të mbi 51% të popullatës dhe nga ata më shumë se gjysma të votojnë për ose kundër.
 
“Duhet të bashkohen edhe pala maqedonase edhe ajo shqiptare, për të bërë një fushatë që të bindin popullin të del të votojë pro ose kundër ndryshimit të emrit” thekson ai sepse do të del i pasuksesshëm nëse fushata organizohet vetëm nga partia maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE.

“Patjetër duhet të angazhohen VMRO-DPMNE-ja, LSDM-ja, por edhe blloku shqiptar BDI dhe PDSH, flas për këto subjekte më të mëdha politike. Është e qartë se vetëm dy partitë në pushtet VMRO dhe BDI këtë nuk mund ta arrijnë vetëm nëse nuk mund të bashkohen këto 4/5 parti të bëjnë marrëveshje më mirë mos të organizohet referendumi. Ne nuk mund të bëjmë referendum për të mos pasur sukses. Duhet të jetë i drejtë dhe të bëhet një fushatë 30 ditore por atë nuk mund ta bëjnë vetë dy parti politike, thjeshtë duhet të bëjnë marrëveshje edhe maqedonasit edhe shqiptarët, edhe pozita edhe opozita” thekson Pendarovski.

Megjithatë për të ardhur deri këtu duhet fillimisht të arrihet një konsensus i gjerë politik në mes partive në Kuvend.

“Duhet të bëjnë marrëveshje të gjitha subjektet e rëndësishme politike dhe sidomos do të jenë të rëndësishme përpjekjet e mëdha që ai referendum të pranohet nga të gjithë. Pa konsensus të gjerë politik, nëse nuk bashkëpunojnë të gjitha paritet politike atëherë ai mund të realizohet, por nuk mund te jetë i suksesshëm”, tha për Portalb analisti, Stevo Pendarovski.

Nuk mund të ketë referendum pa pasur dialog politik dhe marrëveshje politike mes partive, gjë që aktualisht nuk ekziston, është i mendimit analisti Mersel Bilalli.

“Jam i mendimit se shanset janë të jetë minimale të mbahet referendum tani, shanset më të mëdha janë të bëhet marrëveshje. Unë mendoj se duhet të ketë marrëveshje politike, e cila marrëveshje duhet të kalojë në Parlament”, tha Mersel Bilalli.

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski në fjalimin e tij të fundit për festën e Ilindenit kërkoi që të ndryshohet formati i bisedimeve me Greqinë si dhe sërish përmendi çështjen e referendumit si aprovim final për zgjidhjen e çështjes së emrit.

Nga ana tjerët shtohet presioni që i bëhet Maqedonisë nga Bashkimi Evropian dhe nga Greqia që ta zgjidhin përgjithmonë çështjen e emrit. (Zekirja Mexhiti)

Lajme të ngjashme

Back to top button