Një granatë për qeverinë

Përskaj krejt lajmeve të ithëta me vazhdimin e helmimit dhe ndotjes për qytete të tëra të banuara me qytetarë dhe hidhëtive të veçanta për njerëzit në saje të fukarallëkut dhe të tjera, sërish mendoj se një lajm mëton nënvizimin si lajmi më i rëndësishëm në Maqedoni. Ajo është lajmi mbi atë se ndaj godinës së qeverisë së Maqedonisë në Shkup është kryer një sulm me top dore në orët e vona të mbrëmjes.

Themi nënvizimi pasi deri më tani pamë se ky lajm nuk tërhoqi aq shumë vëmendjen e opinionit e as të vet qeverisë e cila sikur nuk pati dëshirë shumë të flasë për këtë gjë. Gjë që u vërejt në mediet që ajo i kontrollon në saje të reklamave e ku menjëherë vërehet disponimi i klikës udhëheqëse nëse ka dëshirë të bëhet fjalë për ndonjë gjë. Me këtë bie poshtë edhe përfolja konspiracioniste se ky sulm është bërë nga vet dikush prej klikës udhëheqëse me qëllim të shpërqendrimit të opinionit. Pasi po të ishte ashtu do i ishte bërë më shumë muhabeti, sidomos nëpër mediet ku lehtë vërehet disponimi qeveritar.

Fakt tjetër është se edhe prononcimi i ministreshës për punë të brendshme ishte fjalëpaktë dhe me hedhje të topit në duar të prokurorisë e ikje nga përgjegjësia. Pra, kjo është e njëjta ministri që disa herë sapo kishte ndodhë ndonjë rast ajo edhe e dinte edhe e shpaloste se kush e bëri dhe për çfarë motivesh. Si në disa raste kur lehtë mund të akuzonte shqiptarët apo partitë opozitare.

Fatmirësisht nga ky sulm nuk ka patë viktima në njerëz dhe as që është dëmtuar shumë fasada e godinës së qeverisë, por vrimën më të madhe që ka bë ky granatimi i fundit është në opinionin publik, që е ka përkujtuar faktin se edhe granatimi i disa vjetëve më parë i të njëjtës godinë ka mbet ende i pasqaruar.

Ashtu nga shkaku i informatave të pakta në opinion edhe për herën e parë, ndonëse tani më kanë kaluar shtatë vite nga 2007 na mbetet të supozojmë edhe për këto përshëndetje në stil mafioz që i dërgohet klikës udhëheqëse në këtë mënyrë. Kjo pasi mënyra, koha dhe kujdesi për mospasje të viktimave ose dëmit të madh aludon në atë se kjo është ndonjë përshëndetje dhe paralajmërim për dikë nga dikush, por që janë të njëjtë në përngjasimin mafioz.

E kësi përshëndetje dhe urime nuk kanë ndonjë sqarim politik tjetër, pos të jetë e ndërlidhur me ndonjë vendim që ka dëmtuar ose nuk ka përfituar ekonomikisht nga ndonjë vendim politik i kësaj qeverie. Kurse prej vendimeve të mëdha ekonomike të fundit që do mund të ishin të denja për dërgim të kësi selam granatave janë vendimet për tërheqje prej liberalizimit të postave dhe distribuimit të energjisë elektrike. Vendime këto që i morri qeveria menjëherë pasi u publikua raporti i fundit i progresit të Maqedonisë në rrugën qorrsokak të euro-integrimit të vendit. Ashtu sipas këtyre vendimeve tani ende për shumë vite do vazhdojë monopoli në këto fusha ndonëse Komisioni Evropian kërkonte të kundërtën dhe është një prej kritereve që duhet të përmbushet.

Me këtë edhe mund të sqarohet se askush nga faktori ndërkombëtar prezent në vend nuk u alarmua për këtë sulm me top dore ndaj qeverisë. Bile për më tepër në të njëjtët ditë kori diplomatik reagoi me deklaratë të përbashkët për demolimin e një kafeneje në Shkup kurse askush nuk e pa të udhës as të përmende këtë incident të lartë.

Mërzia më e madhe që provokon gjithë kjo ngjarje nuk është vet sulmi i godinës së qeverisë sa është fakti se popullata udhëhiqet nga kësi pranues përshëndetjesh në stil mafioz dhe porosia që përçohet nga kjo se këtu punët kryhen me granatim me top-dore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button