Të mbajturit zi

Vdekja është diçka e pashmangshme nga natyra, por natyra njeriut i ka dhënë aq shumë gjëra që mund t’i vendosë dhe zgjedhë ai…

Le të zgjedhim atëherë nga kjo ofertë e natyrës, që të vazhdojmë përpara duke mbajtur kujtimet më të bukura nga çdo humbje, nga çdo e shkuar. Edhe lulet e dinë që do thahen, por çelin.

Cili është reagimi i parë, kur mëson për vdekjen e një personi të dashur? 
Fillimisht, nuk mund të besojmë se një person i dashur, i yni nuk ekziston më. Shpesh qëndrojmë të ngrirë pa asnjë reagim. Më pas, na lind një dëshirë e thellë për të kthyer kohën pas. Në çastin, që na komunikohet lajmi për humbjen, mundet që reagimi ynë të jetë plotësisht “pasiv”.
Kjo do të thotë që të vazhdojmë normalisht punën tonë, sikur s’ka ndodhur asgjë. Kjo ndodh për shkak se shumë mendime bashkë përmbysin mendjen tonë dhe bllokojnë çdo funksion shpirtëror e emocional. Dhe, në fund, ndonëse kemi kaluar shokun e parë, do arrijmë në mënyrë të pashmangshme të ndërgjegjësohemi për humbjen

Cilat janë simptomat e para? 
Personi që përjeton humbjen e një njeriu të dashur gjendet në një situatë tronditëse. Trupi i tij pëson një bllokim. Netët e para nuk mund të flejë dhe nuk ka oreks, ndihet shumë i lodhur, pa energji. Shpesh, kjo lodhje e vazhdueshme ndodh nga përsëritja që i bëjmë pyetjeve: “pse ai?”; “pse jo unë?”, “pse tani?” etj. Personi, që mban zi mohon realitetin, është i revoltuar me veten dhe me të tjerët rreth tij. Ka nevojë për shpërthim dhe për vëmendjen e të tjerëve dhe më pas, qetësohet dhe zhytet në depresion.

Si shfaqet depresioni? 
Zakonisht depresioni shfaqet me të qara, një reagim ky normal i të mbajturit zi. Personi sheh ëndrra të këqija dhe ndonjëherë ka dhe iluzione. Gjumi bëhet i vetmi strehim për shmangien e ndjenjave të trishtuara dhe na bën të besojmë që “nuk ka ndodhur asgjë e keqe’. Gjithashtu shfaqet një mungesë vëmendjeje e theksuar. Ndihet i vetmuar dhe fajtor. Edhe pse ndjenjat e fajit janë të pranishme në çdo njeri që mban zi për dikë, janë më të forta tek ata që mund të kishin marrëdhënie konfliktuale e të tensionuara me personin që kanë humbur.

Cila është sjellja e personit që mban zi ndaj vetes dhe të tjerëve? 
Personi që mban zi ndjen se diku ka gabuar. Beson që diku është treguar i paaftë. E jeton me pesimizëm të tashmen dhe të ardhmen e tij. Ndjen që “asgjë nuk ka kuptim”. Shpesh imiton sjelljen e personit që ka vdekur dhe e bën atë të përsosur në mendjen e tij. Domethënë, fshin të gjitha defektet e mundshme që mund të ketë pasur dhe mbivlerëson anët e tij pozitive. Ndonjëherë, personi që mban zi mendon se vuan nga e njëjta sëmundje me personin që ka vdekur, apo që do të vdesë me të njëjtën mënyrë.

A përjetohet vdekja njësoj në të gjitha moshat? 
Jo të gjitha moshat reagojnë njëlloj në humbjen e një njeriu të dashur. Të moshuarit, për shembull, e përjetojnë ndryshe humbjen, në krahasim me të rriturit mbi 18 vjeç. Faktori, që luan një rol të madh në ndryshim është që të moshuarit kanë përjetuar më shumë humbje më parë në jetë dhe krijojnë një lloj “familjarizimi” me idenë e vdekjes. Kanë përjetuar vdekjen e prindërve dhe ndoshta dhe të tjerëve persona të dashur. Në mendjen e tyre vdekja është e pritshme. Tronditja e parë dhe ndërgjegjësimi mund të kalohen më lehtë nga kjo moshë, por jo gjithmonë, pasi mundet që humbjet e mëparshme mos t’i kenë kaluar “pa probleme” dhe ato të vazhdojnë të jetojnë me frikën e humbjes, e vdekjes. Në këto raste është i shpeshtë fenomeni i përkushtimit ndaj fesë. Ajo që çon “zakonisht” në një depresion të vazhdueshëm të moshuarit është humbja e bashkëshortit në atë moshë. Kjo fazë mund të zgjasë më shumë tek të moshuarit se sa tek më të rinjtë. Ata ndjejnë që nuk ka më kuptim të jetojnë dhe e lëshojnë veten. Gratë kanë frikë më shumë për humbjen e bashkëshortit e tyre, por njëkohësisht janë ato që dalin më shpejtë nga gjendja e depresionit.
Të moshuarit kanë më shumë nevoje për njëri tjetrin dhe një nga arsyet është se ata ndjejnë të bezdisur tek më të rinjtë që janë ngarkesë për ta. Mendojnë që përkujdesi i më të rinjve për ta vjen nga detyrimi. l moshuari, me humbjen mendon të gjitha humbjet në jetën e tij, përjeton shumë humbje njëkohësisht. Mallëngjehet për punën e tij, për kohën e tij dhe për objektet e tij të dashura. Të gjitha këto mungesa, bashkë me mungesën e bashkëshortit/es, çojnë në moskuptimin e ekzistencës së tij.

Kur depresioni është shqetësues? 
Ky depresion bëhet shqetësues për personin që mban zi kur ai nuk mund të funksionojë normal në jetën e tij të përditshme. Nëse kjo gjendje e depresionit zgjat më shumë se 2 muaj, atëherë ndërhyrja e një psikologu bëhet e domosdoshme. Por megjithatë, mbështetja e një psikologu dhe më parë është shumë ndihmëse dhe e udhëzon personin të përballojë dhe pranojë humbjen më shpejt dhe më lehtë. Në ndihmë mund t’i vinë edhe njerëzit e afërt të cilët mund t’i tërheqin vëmendjen nga ngjarja e trishtuar për të. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button