Luciferri lustron

Fjala “lustrim” rrjedh nga latinishtja që do të thotë – ndriçim. Për këtë lidhet edhe nocioni “luciferr” – që nënkupton njëfarë qenie të nëntokës i cili nëpër korridore të ferrit mbanë fenerin (lucem ferra – fenermbajtës), e që drejtëpërdrejtë i nënshtrohet satanës.. Në veprën ”Dictionnaire Infermal” (1862), Luciferri trajtohet si mbret i ferrit, kurse Dante Aligieri Luciferrin e definon si një djall i cili qëndron në fund të ferrit dhe që mban në gojë njerëz të këqinj. Lustracioni te romakët e vjetër nënkuptonte pastrim para hyrjes në tempuj (i shkruar në shtyllën e Trajanit, në vitin 113 para Krishtit).

Sot, me plotë arsye lustrimi identifikohet me inkvizim të njerëzve të pafajshëm, pasi në masë të madhe këtë “ndiçim” e bëjnë forca të errëta të nëntokës, në rend të parë për arsye revanshizmi apo diksreditimi moral të kundërshtarëve. Pas rrënies së Murrit të Berlinit, lustrimi i bashkëpunëtorëve të ish policisë së fshehtë, duke shkelur mbi të drejtat njerëzore të ndokujt – u imponua si nevojë për pastrim moral të shoqërisë. Shumë shtete ish socialiste miratuan ligje në këtë drejtim, por pa rezultate konkrete, madje me rezultate të dështuara. Në shumë raste e gjithë kjo u shndërrua në fushatë për shkelje të dinjitetit të personave të pafajshëm. Kështu që arsyeshëm ky proces iu nënshtua kritikave të ashpra nga Strasburgi. Me rezolutën të Këshilit të Evropës, Kroacisë iu drejtuan kritika të ashpra, duke e përkujtuar se lustrimi duheshte të shërbejë jo për dikreditim personal, por për pengim të bashkëpuntorëve të ish policisë së fshehtë që të kandidohen për ndonjë funksion – anëtar të qeverisë, të parlamentit, që të punojnë për shërbimet e tanishme të policisë së fshehtë, që të mos mund të jenë anëtarë të këshilleve drejtuese në kompanitë shtetërore, që të mos mund të jenë gazetarë, redaktorë dhe bartës të funksioneve në pushtetin lokal. Kritika të ngjashme drejtohen edhe nga ne, por ne mbetemi të shurdhër. Madje ky proces në disa shtete totalisht është ndërprerë, pasi që moralisht është më tragjike të dënoni një të pafajshëm se sa të lironi qindra fajtorë. Ky proces është kryer vetëm në Gjermaninë Lindore, në rend të parë për shkak të qasjes tejet parimore.

Por, te ne ndodhin çudira! Një gjykatës, në vitin 2010 kishte marrë vendimin nga Komisioni për lustrim se nuk ka qenë bashkëpunëtor i shërbimeve. Dy vite më vonë i njëjti organ anulon vendimin paraprak dhe sjell vendim të ri se ai paska qenë bashkëpunëtor i shërbimeve. Çudi e paparë! Profesori Frçkoski, lustrohet si urdhërdhënës për ndjekjen e bashkëpunëtorëve të jashtëm (disa prej tyre anëtarë të partisë së tanishme në pushtet), kurse disa nga këto ndjekje i kishin filluar që më heret ish ministrat paraprakë për punë të brendshme. Kurse disa nga ta tani kanë fituar statusin e “personaliteteve historike” për shtetin maqedonas. Drastike është gjendja me rregjisorin V. Milcin, të cilit në vitin 2000 i është lëshuar dokument se kishte qenë i përndjekur nga ish pushteti për arsye politike dhe ideologjike, e të cilin mandej vazhdimisht e kishin përcjellur dhe përgjuar. Por, Komisioni në vitin 2011, atë e shpall si bashkëpunëtor të shërbimeve të atëhershme sekrete! Poashtu, shumë Shqiptarë, të asaj kohe u patën dënuar me shumë vite burg, por tani në asnjë rast nuk kemi lustrim të kodoshëve të tyre!

Në qarqe relevante konsiderohet se lustrimi te ne është shndërruar në instrument të diskreditimit , revanshizmit dhe gjuajtjes së shtrigave. Pasi, po të mos i puthni dorën këtij rregjimi, ai ua këput kokën. Ekzistojnë indikacione serioze se një numër i caktuar i funksionarëve të tanishëm kanë dosje të trasha, por as një qime nga flokët nuk u mungojnë. Pushteti ka nevojë për mbjellje frikë, pasi ai vetëm ashtu mund të funksionojë, andaj në listën prë gjuajtje janë futur edhe akademikë, profesorë, analistë, gazetarë, redaktorë, avokatë, priftërinj e hoxhallarë, gjykatës, përmbarues etj. Duket se ky proces tërësisht duhet të revidohet dhe të pësojë ndryshime ligjore në drejtim të përgjegjësisë penale të shërbimeve që mund të keqpërdorin, fshehin, falsifikojnë apo të dorëzojnë dokumente të pakompletuara. Këtu nuk duhet përjashtuar as përgjegjësinë e gjykatave që nuk hulumtojnë materialet. Madje edhe vet ligji në fuqi shkelet në mënyrë drastike, kur shpall për bashkëpunëtorë të shërbimeve pa dokument të nëshkruara nga vet personi që është një ndër kushtet themelore të ligjit në fjalë.

Dispozitat e Konventës europiane mbi të drejtat njerëzore neve na obligojnë drejtëpërdrejtë, dhe asnjë ligj nuk mund të jetë në kundërshtim me dispozitat dhe frymën e tyre. Për shkak të shkeljes së tyre, jo vetëm që jemi duke përjetuar dëm politik, por së shpejti do të shohim se sa shumë do të na kushtojë finansiarisht, kur t’i paguajmë dëmshprëblimet astronomike nga buxheti shtetëror.

Tjetër punë është çështja e kredibilitetit të këtij pushteti për të bërë lustrim. Fakt është se ai gjer në palcë është kriminogjen, diskriminues dhe siskreditues. Komunistët së paku kishin njëfarë ideali dhe besonin në diçka. Kurse këta nuk besojnë në asgjë pos në para të zeza. Kështu persona të gabuar na mësojnë leksione të drejta dhe tani nuk dihet më se a më shumë na trajtojnë si njerëz apo si pacientë. Misteri më i madh është se pushteti me këmbëngulje vazhdon t’i lustrojë ish funksionarët, por jo edhe të tashmit! Lustrohen madje edhe të vdekur, ndoshta që të mos munden të kandidohen në botën tjetër! Në fakt, shkelje më drastike të të drejtave njerëzore dhe dinjitetit njerëzor se tani, asnjëherë më parë s’ka pasur. Para syve tonë gjithçka na shembet. Nga ligjet e gjer te ne vet. Kurse ne jemi shndërruar në persona të cilët çdo gjë dëgjojmë, por aspak nuk shohim. Definitivisht, me këso pushteti aspak nuk duhet të brengosemi për ardhmërinë. Pasi as që do ta kemi. Nga ambiciet e sëmura të ndokujt, ne të gjithë vuajmë në shtrat…

Lajme të ngjashme

Back to top button