“AKSIONI” LEGAL

Si u krijua Serbia e madhe e para Luftës së parë botërore, si ndërtohej ajo, cila ishte politika e saj ndaj “Jugut”, pra ndaj Kosovës dhe Maqedonisë, treva këto që ranë në duart e Serbisë pas ngjarjeve të përgjakshme në vitet 1912/13? Disave nga këto pyetje lexuesi do t’ua gjejë përgjigjet edhe drejtpërsëdrejti, por edhe midis rreshtash në fletëzat vijuese nga dëshmitë e njërit nga ideologët dhe krijuesit e projektit të ashtuquajtur Serbia e madhe, Milosav Jeliçit, që i shtron në Librin Kronikë e jugut. Përndryshe M. Jeliçi ka marrë pjesë aktive në pushtimin e këtyre anëve shqiptare si oficer i lartë dhe pastaj edhe në ndërtimin e pushtetit shovinist serb të asaj kohe. Tekstin e përshkojnë fjali të qarta, përshkrime mjaft interesante, me një dozë romantizmi “patriotik”, prapa së cilës fshihet bërthama e politikës serbomadhe ndaj njerëzve të pambrojtur të këtyre anëve, e veçmas ndaj shqiptarëve…

 

Përpjekjet e Bullgarisë zyrtare që me aksione ilegale të këpusë prej nesh copa territoresh, pësuan mossukses. Këtë më po e venë re edhe makedonstvujushçët. Po këtë përshtypje e kemi edhe ne, por po këtë përshtypje e kanë edhe ata që shikojnë për anësh. Se nuk ka kurrfarë rëndësie rasti që nga ndonjë çetë ta kalojë kufirin e furnizuar me peksimet të mjaftueshëm dhe pas tri ditësh të kthehet si pula pa krye. Këto ekspedita nuk e ngrenë moralin e popullsisë, për çka çon pluhur propaganda. Përkundrazi.

Çka është shkaku i dështimit të plotë të veprimit të komitëve? Kontraorganzimi. Sapo nisi popullsia fshatare të bashkohet për mbrojtje, u vështirësua puna e jeniçerëve tonë. Në disa vise çetat as nuk guxojnë t’i hedhin sytë prej së largu në territoret tona. Autori i këtyre rreshtave do të jetë jomodest ta theksojë faktin se ai është i pari që para publikut tonë e vuri në dukje këtë metodë dhe me kurziv e botoi në “Politikë”: aksioni çetnik eliminohet me po të njëjtin aksion, organizata me kontraorganizatë. Dhe më tutje: kudo që mënyra e propozuar për zgjidhjen e problemit në Serbinë Jugore është pranuar, rezultat ka pasur gjithmonë. Propozimi që kolonizimi t’i besohet Gjeneralshtabit kryesor nuk u pranua dhe çfarë fundi pati kjo ndërmarrje pyeteni të parin që do ta takoni rrugës e do t’ju tregojë. E s’ka pasur nevojë për asnjë çështje të ketë ndonjë studim të veçantë – mendja e shëndoshë jep zgjidhje më të sigurta. Pse s’mund ta zhdukin Mehmet Delinë? – E ruan Drenica. Po të mos kishte pasur jatakë, nuk do të kishte pasur kaçakë. (Autori propozon ekspedita kundër familjeve në Drenicë e gjetiu, pra propozon gjenocidin si mjet lufte kundër rezistencës. Shën. i përkthyesit) Aty ku fshatrat kanë vendosur mos të lejojnë jatakë, komitët nuk kanë mundur të mbeten e të veprojnë.

            Popullsisë fshatare i doli në majë të hundës shkelja invaduese e territoreve tona nga ana e bullgarëve me gënjeshtra e me terror. Konfliktet me ligjin i kanë prekur si individët ashtu edhe familjet. Ka sot aq shumë fshatarë të cilët i konsiderojnë terroristët e matanë kufirit për armiq më të mëdhenj dhe luftojnë me ta me një vrull që është për krenari. Dhe, mund të thuhet lirisht se në fshatrat e jugut nuk ka jetë për komitët.

U përpoqën atëherë që kontraorganizatave t’ua eliminojnë udhëheqjet. Nisën atentatet ndaj vojvodëve. Me sukses largoheshin nga kjo botë ata të cilët e zbusnin mllefin kundër ardhacakëve dhe i hiqnin njollat prej emrit tonë. Por edhe me këto vrasje nuk u arrit gjë, se kush e vret komandantin e çetës nuk e ka eliminuar çetën, çeta prapë është aty. Fshatari i parë i dalluar me trimëri dhe me shkathtësi për udhëheqjen e njerëzve vjen në vendin e komandantit.

Një gjendje e tillë në jugun tonë, rrethanat në brendi të vendit dhe mossukseset në politikën e jashtme bënë që Bullgaria ta ndërrojë taktikën. Në këtë moment ne jemi në shenjën e aksionit legal të makedonstvujushçëve, përkatësisht të bullgarëve, për shkak se këta dy emra kanë të njëjtin kuptim. Sipas të gjitha gjasave nuk ka mbetur më njeri te ne i cili nuk e ka të qartë se për çka është fjala. Mirëpo derisa për çetim përparësi kishte elementi fshatar, për aksionin politik e kulturor më i përshtatshëm është ai i qytetit. Kjo punë kërkon njerëz më inteligjentë. Atyre madje u ka rënë shorti.

Nuk duhet të turpërohemi dhe ta pranojmë se ende mund të gjenden elemente, të cilëve propaganda ua ka mbjellë Krumin në shpirt. Nuk ka shumë të tillë, mirëpo ekzistojnë si material për organizim e propagandë. Lejimi fatal i formimit të partive politike jep mundësi që nën mbrojtjen e tyre të bëhet ajo punë, për zhdukjen e së cilës kanë rënë në gjumë të përgjakshëm e të përjetshëm me mijëra fëmijë tanët në fushat e Bregallnicës. Duke e kuptuar vlerën e topthave tipat anacional dalin në sipërfaqe. Mendojnë se e kaluara është harruar. Kmeti, i cili ende nuk ka dhënë dorëheqje në pozitën e oficerit rezervë bullgar, mullisi, i cili ka qenë në Kryqin e kuq gjenevas të bullgarëve, tregtari dhe sekretari i naçellstvës gjatë kohës së okupacionit, vetëm këta t’i përmendi si shembuj, janë pjesëtarë të tri partive politike. (Jeliçi ka të dhëna të hollësishme për çdo kë. Specialistë të tillë policitë e këtushme do të kenë deri në ditët e sotme. Shën. i përkthyesit). Nuk iu pengon fare të jenë gjithkund së bashku kur duhet t’i arrijnë qëllimet e përbashkëta.

Plani? Plani është i thjeshtë. Nën maskën e patriotizmit lokal dhe të angazhimit për “tukashnit” (të këtushmit. Shën. i përkthyesit) duhet bërë për vete rininë tregtare dhe partiake. Pastaj duhet kaluar në këshillat vendore partiake dhe në dhomat ekonomike. Dhe pastaj vijnë zgjedhjet në parlament dhe gjithsej një fjalim në Beligrad, të cilin Agjencia Telegrafike Bullgare do ta kishte shpërndarë nëpër botë.

Nuk ka dyshim se ky aksion ka njëfarë jehone, ndonëse në rreth të ngushtë. Para pak kohësh kishte provime në shkollën e njëfarë shoqate të grave. Mbledhjen e udhëhiqnin katër zonja: dy nga viset veriore, dy nga ato jugore. Fëmijët e kanë mësuar historinë e flasin s’ka si bëhet më mirë dhe aq saktësisht sa një njëra nga zonjat “tukashe” thjeshtë ndjehet keq. Dhe ajo i drejtohet arsimtares:

– Pyete nxënësen, të lutem, kush e shkaktoi luftën botërore?

Të gjithë u shikuan midis vetes, mirëpo inspektori i cili merrte pjesë, po ashtu këtu, i tha arsimtares.

– Pyeteni atë që e kërkon zonja!

Kurse vashëza e përbiu pështymën dhe u përgjigj:

– Luftën botërore… Luftën botërore e shkaktuan fuqitë e mëdha, sepse shtyheshin mes vetes kush do ta marrë Stambollin.

Zonja qëllimmirë, e cila para se ta bënte pyetjen e preku me gju kolegen e vet që e kishte pranë, e kafshoi buzën. E e gjora kishte menduar se fëmija do të përgjigjet: “Serbia”.

Megjithatë këtë aksion nuk duhet ta përçmojmë edhe pse brezat e rinj po vijnë… Duhet kujdes sepse një dele me zgjebe  e mbush me zgjebe tërë grigjën. Nuk duhet t’i lihet kjo punë as kohës as faktit që lëvizjes së këtij lloji t’i vihen përballë me hidhërim të rinjtë nga vendi të edukuar në rrethana të njëjta. Fatkeqësitë momentale mund ta ngrenë prestigjin e intrigantëve.

Që të pamundësohet puna e këtij lloji në kohën kur Vojvodë Vuku fle në gjumë trimi, kurse me kamën e Tankosiçit luajnë fëmijët e Palillullës, duhet pasur vetëmohim. Çdo aksion paralizohet dhe zhduket me kundëraksion. Në rastin e dhënë ilaç është aksioni ynë legal, ai i vërteti, pa thonjëza. Në radhë të parë ata të cilët i duan mandatet e deputetëve të  popullit nuk guxojnë t’i mbyllin sytë e veshët për hatër të disa kokrrave. Ata bëjnë krim ndaj kombit nëse i përkrahin partizanët e tyre të vetëdijshëm për punën e tyre shkatërrimtare. Pastaj ne duhet patjetër ta mbushim jugun me shkolla dhe me nëpunës inteligjentë. Do të kishte qenë turp sikur populli ynë të kishte një rini universitare të paraluftës të gatshme t’i lërë kokat nëpër malet e thella të Maqedonisë, e s’do të kishte sot të rinj të gatshëm të jetojnë në atë vis për të cilin vëllezërit e tij kanë dhënë jetën. Kur armiku na kanosej të na e thyejë kurrizin (kurse Vardari dhe Morava janë kurrizi i shtetit tonë) u bë mobilizimi dhe ata që iu përgjigjën mobilizimit jo vetëm që e zmbrapsën sulmin, por vendin madje e rritën. Sot është koha që të bëhet mobilizimi i atyre që mund ta mbajnë pushkën arsimore dhe politike. Kjo luftë është më e vështirë, për shkak se fronti i armikut nuk është shënuar ashtu qartë siç ndodh në luftë. Pastaj këtu fitorja do të jetë më e madhe. Kurse ne prapë dhe përfundimisht do të fitojmë, nëse mbetemi të vendosur e të fortë në mendimin se populli do të ketë një ardhmëri të madhe.

Tash kur po i shkruaj këta rreshta  nga Shtipi lajmërojnë për një organizatë të zbuluar komitësh. Unë kësaj s’i besoj: dikush diku ka thënë, e është bërë aferë. Më parë do ta kisha pranuar si të vërtetë kumtesën se është zbuluar një qerthull për veprim “legal”. Kjo punë është tash në rend të ditës.

10. – VIII. – 925


 

LEXO PJESËN PARAPRAKE – AMNISTIA

Autor i librit: M. Jeliç
Përktheu, komentoi dhe përgatiti për botim: Xhabir Ahmeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button