Mustafa kundër Kushtetueses: Kryeparlamentari i takon Bllokut

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ata që mendojnë që bllokut nuk i takon posti i kryeparlamentarit, e kanë keq.

Mustafa e vlerëson si të rëndësisë themelore, jetësimin e marrëveshjes mes partisë së tij, AAK-së , Nismës e VV-së

Ja postimi i plotë i kreut të LDK-së në Facebook:

Për Lidhjen Demokratike të Kosovës është me rëndësi themelore jetësimi i marrëveshjes me AAK-në, Nismën dhe Vetëvendosjen, e cila siguron zhvillim ekonomik, shtet ligjor dhe luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kohezioni ynë por edhe diversiteti, është një argument i fuqishëm për një qeverisje të qëndrueshme dhe jokorruptive.

Të gjithë atë që tjerrin mend sot e thonë se kanë thënë edhe përpara se këtij koalicioni nuk i takon kryetari i Kuvendit e kanë keq. Kushtetuta i jap të drejtë grupit më të madh parlamentar që ta propozoj kryetarin e Kuvendit. Rrjedhimisht koalicioni në krye me LDK-në është grupi më i madh parlamentar, kurse Gjykata Kushtetuese këtë të drejtë ia ka dhënë partisë e cila ka dalë e para në zgjedhjet nacionale.

Ne kemi bërë një marrëveshje të shëndoshë dhe të qëndrueshme politike, e cila është përkrahur nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, duke treguar respekt të plotë për partnerët tanë. Implementimi I marrëveshjeve nuk është çështje e individëve dhe dëshirave të tyre, por çështje e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit si dhe e vendimeve të organeve përgjegjëse, karshi rrethanave të krijuara./Indeksonline/

Lajme të ngjashme

Back to top button