BDI pro, PL kundër ndryshimit të formatit të bisedimeve

Bashkimi Demokratik për Integrim është pro ndryshimit të formatit të bisedimeve për emrin me Greqinë, propozim që u dha nga lideri i VMRO-së, Nikolla Gruevski. 

Nga partia e Ahmetit konsiderojnë se vetëm përmes dialogut të drejtpërdrejtë dhe me një ndërmjetësim të fuqishëm ndërkombëtar mund të marrë fund kontesti 20 vjeçar mes Shkupit dhe Athinës. 

“Ne konsiderojmë se kjo është krejtësisht në vijë me thirrjet tona gati të përditshme për dialog të drejtpërdrejtë mes palëve, për uljen e palëve në tavolinë në bazë të propozimit të z.Nimic dhe me ndërmjetësimin e drejtpërdrejtë dhe intensiv ndërkombëtar. Ne e shohim kotësi formulë të vetme  për zgjidhur një kontest i cili duket se është i ndërlikuar i ngarkuar me emocione dhe po zgjat diku rreth 20 vite. Janë provuar të gjitha mekanizmat e tjerë mirëpo dialog të drejtpërdrejtë nuk ka pasur deri më tani”, tha për Alsat-M, Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Partia Liberale doli kundër

Partia Liberale (PL) ka kundërshtuar propozimin e kryeministrit Nikola Gruevski për të ndryshuar formatin e bisedimeve për emrin. 

PL ka theksuar se ky propozim nuk është i ri, porse daton prej vitit 1993, kur Greqia kishte kundërshtuar atë. 

“Vlerësojmë se hapja e çështjes së formatit të negociatave do t’i jepte mundësisë Greqisë për t’i kthyer gjërat mbrapa, dhe në vend të termit ‘negociim’ të imponohet sërish fjala ‘bisedime’. Mbase të gjithëve u është e qartë se kjo do t’i mundësonte palës greke shumë komoditet për zvarritjen e pakufishme të këtij problemi”, thuhet në komunikatën e PL-së. 

Partia është e kënaqur, ndërkaq, për faktin se kryeministri ka pranuar se Marrëveshja e Përkohshme është një dokument jashtëzakonisht i mirë dhe i dobishëm.

Lajme të ngjashme

Back to top button