Harrove brushën e dhëmbëve
Keni kërkuar shtëpinë e Lisës. Për momentin nuk ndodhem në shtëpi. Ju lutem lini mesazhin tuaj pas sinjalit!…( BEEEP)
Alo Lisa, Lisa jam unë.
Po pra unë…
Unë që të dua si budalla.
Ndoshta do e fshish këtë porosi sa të ma dëgjosh zërin, …ndoshta do e fshish ende pa ma dëgjuar fare.
Por… nëse vendos ta dëgjosh deri në fund (psherëtin)
… më fal që të lajmërohem kaq vonë Lisë, ndoshta nuk është momenti, ndoshta të shqetësoj…
por e vërteta është se më mungon tmerrësisht dhe jo vetëm aq…
Më mungon se si nevrikoseshe kur nuk i krihje dot flokët e ngatërruara pasi dilje nga tushi, (buzëqesh lehtë)
Më mungon edhe aroma e eliksirit të flokut prej vajit argan që ti e lyeje pasi arrije t’i krihje…
Më mungon fakti që ishe aq e ashpër me vetveten, ashpër kriheshe deri në shkulje, ashpër i laje dhëmbët, ashpër kruaje lëkurën deri në grithje… e aq butë më trajtoje mua
Më mungon të dalim në mbrëmje me shoqëri dhe të dehemi në shikime e ledhatime e askush mos ta kuptojë dot se ne jemi grindur gjatë gjithë natës së mëparshme.
Më mungon të rri ulur në tavolinë dhe të shoh se si e ndez shporetin për të bërë donjë gjellë pa kripë me atë përparësen ngjyrë roze që aq shumë ta urreja…e tani po e mbaj në dorë.
Më mungojnë këmbët e tua që gjithnjë ishin të ftohta akull, dhe që ti flije me çorapë.
Më mungon të ti vesh çorapët.
Më mungon të të blej e të të sjell një tufë me trëndafila, e ti të gëzohesh. E të nesërmen ato trëndafila t’i gjej në shportën e mbeturinave…t’i kesh hedhur sepse unë të të kem lënduar.
Më mungon të të shoh se si vishesh fët e fët në mëngjes dhe se si gjithnjë vonohesh për në punë
Më mungon të të shoh se si zhvishesh ngadalë në mbrëmje e më ankohesh për problemet gjatë ditës. E unë të të shoh e mos të dëgjoj aspak, vetëm të të shoh…
Më mungon “ Mirëmëngjesi ” yt i ëmbël në vesh, por dhe “ Natën e mirë” plot inat.
Më mungojnë edhe hapat e tu qetësues që gjithnjë qëndronin mbi komodinën tënde e që i pije sa herë që ta bëja ditën ferr.
Më mungon dhe vesvesllëku yt i sëmurë i pastërtisë, era domestos e shtëpisë (buzëqesh)
Më mungon të ulesh para meje dhe të hash rrushin duke i qëruar farat e tij me thikë. Ah sa e doja këtë rrushngrënie tënden.
Më mungon të hamë mëngjes bashkë dhe ta përziejsh çajin 30 herë, të më iritosh kështu më mungon.
Më mungon të hash ngadal siç e kishe zakon, dhe unë mos të të shpejtoj këtë here siç e bëja përherë.
Më mungon të shoh se si lyen buzëkuqin para pasqyrës.
Më mungon të gjej shenja të atij buzëkuqi në jakën e këmishës e të të shoh se si e lan këmishën më pastaj.
Më mungon të të shoh se si fle, e se si zgjohesh në kraharorin tim.
Më mungon aroma e lëkurës tënde…
… (psherëtin)
E unë…unë a të mungoj sado pak oj Lisë?
Edhe një gjë, ke harruar brushën e dhëmbëve tek unë. ..në fakt është e vetmja gjë që më jep shpresë se do i lajmë dhëmbët bashkë një ditë.
Jam budalla?! Thua? Mbase dhe jam Lisë, …gjithçka mund të bëhem për ty.
E ti për mua… (hesht)
Deklaroj se ti për mua je gjithçka pa të cilën nuk mundem të jetoj…
Kthehu Lisë!