Arrestohet i riu që grabiste udhëtarët në Rrugën e Kombit

Makthi i udhëtarëve në Rrugën e Kombit duket se ka marrë fund dje me arrestimin e një 21-vjeçari, i cili akuzohet për të paktën gjashtë grabitje me armë në këtë segment, një prej të cilave ishte edhe sulmi ndaj një familjeje shqiptare nga Mali i Zi.

Arrestimi i Ardit Maxhunit vjen pas reagimit të shpejtë të forcave të Komisariatit të Policisë së Mirditës, që ka vetëm dy javë që ka ndërruar kreun e vet, por është dashur edhe mbështetja me forca speciale dhe helikopter për të kapur njërin nga grabitësit e rrezikshëm të shfaqur në këtë aks rrugor, ndërkohë që është identifikuar edhe bashkëpunëtori i tij, i cili është shpallur në kërkim. I arrestuari ka pranuar gjashtë grabitje të ndodhura në harkun kohor prej një viti, ku e fundit u realizua në orët e para të mëngjesit të djeshëm.

Rreth orës 02:30 të mëngjesit, dy shqiptarë nga Kosova kanë qenë duke udhëtuar në Rrugën e Kombit, kur në një zonë të pabanuar, kanë hasur gurë në rrugë. Ata kanë ndaluar për të pastruar rrugën, por menjëherë pranë tyre kanë shkuar dy persona të maskuar dhe me armë, të cilët i kanë kërcënuar me jetë dhe u kanë grabitur gjithçka kishin me vete. Në këto kushte, dy personat nga Kosova u janë bindur maskave, që pas grabitjes janë larguar me shpejtësi në errësirë.

Menjëherë pas ngjarjes, të grabiturit kanë njoftuar policinë dhe për në vendin e ngjarjes janë nisur urgjentisht shërbimet e komisariatit të Mirditës. Policia ka marrë informacion se ata ishin larguar drejt malit, kështu që në ndihmë të efektivëve lokalë kanë shkuar Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës dhe ato RENEA.

Madje, kur ka zbardhur dita, për kapjen e autorëve është vënë në dispozicion edhe një helikopter, që ka kontrolluar zonën. Nga ky operacion i gjerë, policia ka mundur të lokalizojë njërin prej grabitësve, të cilin e ka arrestuar mes maleve dhe rezulton të jetë 21-vjeçari Ardit Maxhuni, lindur në Pukë dhe banues në fshatin Grykë Lumi të Lezhës.

Atij i janë kapur me vete edhe maska dhe sende të tjera, të dobishme për hetimet, ndërkohë që, kur është shoqëruar në polici, ai ka pranuar disa nga krimet e kryera. Nga burimet policore mësohet se në harkun kohor të një viti, ai ka kryer gjashtë grabitje me të njëjtën metodë. Sipas hetimeve, ai bashkë me shokun e tij, tashmë të identifikuar dhe të shpallur në kërkim, zgjidhnin fundjavën për të grabitur, pasi vinin shumë shtetas nga Kosova për të kaluar fundjavën në brigjet e bregdetit shqiptar.

Gjithmonë vendosnin gurë në autostradë për të ndaluar makinat dhe më pas i kërcënonin me armë. Policia tha se i arrestuari është edhe një nga autorët e grabitjes së familjes nga Ulqini më 13 korrik të këtij viti. Enver Astradini, së bashku me familjen e tij, janë grabitur në afërsi të vendit të quajtur Shpal të Rrethit Mirditë.

Policia ka mundur të gjejë edhe katër gëzhoja në vendin e ngjarjes, si dhe gurët që janë përdorur për bllokimin e rrugës. Pas ngjarjeve në Rrugën e Kombit, policia ndryshoi edhe shefin e komisariatit të Mirditës, ku vetëm para dy javës, në krye të kësaj strukture është vendosur kryekomisar Agron Kosta.

Dje ishte rasti i parë i rikthimit të grabitjeve në këtë segment rrugor dhe ndërhyrja e policisë ka rezultuar efikase, duke kapur një nga autorët dhe duke shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e tij, tashmë të identifikuar./shqip/

Lajme të ngjashme

Back to top button