Kallashi

Më vjen shumë keq pasi në këtë shkrim nuk do të lexoni për atë që po paragjykoni se kam shkruar. Ky shkrim është për shqiptarët dhe për shpikjen e Mikhail Kallashnikov, automatikun kallashnikov që shqiptarët e kanë keqpërdorur shumë. Siç e dijmë, ky lloj automatiku është përdorur edhe në shumicën e rasteve në konfliktet e brendshme në Shqipëri gjatë vitit 1997, në luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë dhe në konfliktin e armatosur në Maqedoni në vitin 2001. Në këto raste dhe në shumë raste tjera nëpër botë është përdorur për shkak se ka kushtuar më lirë dhe gjithmonë ka qenë më praktik për të luftuar armikun por edhe mikun që për inate personale dhe përfitimet të ulëta është shënjestruar si kundërshtar dhe armik. Për këtë është bërë shkrimi, për të kritikuar sjelljen e shqiptarëve ndër vite të cilët me kallash kanë prishur rendin e jetës dhe funksionimin e shtetit të tyre.

Mikhail Kallashnikov në një vizitë në Gjermani në vitin 2002 për shpikjen e vetë tha “Jam krenar për kallashnikovin por dëshpërohem kur dëgjoj se përdoret nga terroristët”. Pikërisht në vitin 1997 kështu ndodhi në Shqipëri, u terrorizuan qytetarët nga grupe të caktuara të cilët shfrytëzuan mllefin e të dëmtuarve në skemat piramidale e sipas burimeve në këtë mashtrim të organizuar nga shteti u humbën më shumë se 1,2 Miliardë dollarë, kursime të qytetarëve. Nga kjo, qytetarët e revoltuar organizuan protesta që lëkundën shtetin dhe këtë situatë e përdorën grupe të ndryshme terroriste të organizuara aty për aty për të shkatërruar qytete e shtetin në përgjithësi dhe për të grabitur çdo gjë. Këto grupe, pa ndërgjegje shkatërruan çdo gjë që i rrethon, e kjo ndikoi shumë në imazhin e Shqipërisë si shtet. Edhe sot kemi njerëz në të gjithë botën që nuk e vizitojnë Shqipërinë për shkak se ju ka mbetur në kokë informacioni se Shqipëria qenka vend i rrezikshëm. E shihni të nderuar lexues se disa grupe idiotësh dhe vjedhës të dorës së parë mund të rrezikojnë ekzistencën e shtetit dhe gjithashtu të prishin shëmbëlltyrën e shtetit për dekada me radhë?

Në vitin 2008, Mikhail Kallashnikov tha “Është mëkat të shohësh të gjithë nivelet e kriminelëve të shtyjnë me armën time”. E gjithë kjo mund të përshkruhet edhe nëpërmjet luftës në Kosovë. Një herë shqiptarët nga Kosova larguan sllavin okupator por harruan që pas luftës duhet të punojnë për të zhvilluar shtetin. Ata vazhduan që të mbajnë kallashnikovë në duar për të ekzekutuar shqiptar që pengonin grupe të caktuara në matematikat e tyre për të përvetësuar pushtetin. Kjo është shumë e dhimbshme pasi përveç dhimbjeve që u janë shkaktuar familjarëve të viktimave, të cilët dikush i ka vrarë për arsye të cilat nuk dihen, shkaktuan edhe një turbulencë tepër të madhe tek popullata e Kosovës, sepse së paku një pjesë e mirë e popullatës së Kosovës të gjitha ato vrasje, posaçërisht të zyrtarëve të partive politike, i ka konsideruar si vrasje politike. A nuk është kjo e dhimbshme, të vrasësh vëllaun me plumbat që nuk munde ti zbrazësh te shkjau?

Gjithashtu edhe në Maqedoni pati vrasje politike pas luftës dhe ende kemi njerëz të armatosur me kallashnikov që ruajnë kryetarët e partive. E keni parasysh, të mbrohesh nga qytetarët që të dhanë votën? E pa kuptimtë, siç është i pa kuptimtë edhe realiteti që mbretëron sot në Maqedoni. I tmerrshëm është fakti që kallashnikovi i solli në pushtet njerëzit që sot janë të gatshëm të përdorin kallashnikovin për të mbajtur pushtetin dhe për të kërcënuar çdo qytetar që mendon ndryshe dhe atë e shpreh në publik, qoftë edhe në kafenenë e fshatit. E çka do të kishte thënë Mikhail Kallashnikov i cili në mes tjerash tha “e krijova kallashnikovin për të mbrojtur kufinjtë e atdheut”. E këtu tek ne kallashnikovi përdoret për të mbrojtur oborrin e partive të personalizuara dhe të shndërruara në organizata fitimprurëse.

Kallashnikovi ka qenë dhe është tmerr për gazetarët dhe mediet që duheshte të zbulojnë grupet që terrorizuan Shqipërinë në vitin 1997, se kush i bëri vrasjet politike në Shqipëri dhe në Maqedoni. Por, çdo gazetar ka familje dhe nuk don që ato të frikësohen nga kallashnikovi i atyre që dëshirojnë të qëndrojnë të pa zbuluar. Sot roli i mediave duhet të jetë informimi dhe edukimi i qytetarëve sipas etikës dhe kodit gazetaresk e jo nxjerrja në pah e të zezave të kombit që sot janë në shtim e sipër. Nuk na duhen lajme për trendafilat, prapanicat, zogjt dhe fustanat shumë të hapur të të ashtuquajturve këngëtare pasi këto informacione dëmtojnë shoqërinë aq sa mund ta dëmtojë njeriun një kallash i shkrepur.

Lajme të ngjashme

Back to top button