Koment ‘tronditës’ i Fatos Lubonjës për vrasjet në plazhin e Vlorës

FATOS LUBONJA

Te lajmi i krimit në Vlorë më tërhoqi vëmendjen një detaj; “vrasësi iku me një fuoristradë”. M’u kujtua menjëherë për asosacion një bisedë që kisha pasur vetëm para disa ditësh me një specialist ndërkombëtar në fushën e drejtësisë dhe krimit, i cili e njeh jo pak Shqipërinë. Duke bërë krahasim midis vendeve të tjera europiane dhe Shqipërisë, ai më tha pak a shumë këto fjalë: “Mafie dhe krim ka edhe te ne, por ka edhe antimafie dhe antikrim, kurse te ju mungon kjo e dyta. Në Itali ka mafie, por ka edhe Falcone e Borselino, këtu jo. Ky është problemi. Ja, le të marrim për shembull Rumaninë. Edhe atje ka mafie dhe krim. Ku qëndron ndryshimi? Ta them unë: në rrugët e Bukureshtit ti nuk mund të shohësh kurrsesi djem të rinj mbi makina fuoristradë BMW X5 apo X6 apo Ferrari, siç sheh këtu.

Nuk ka shans të shohësh një gjë të tillë sepse edhe ai mafiozi që e ka mundësinë t’i blejë nuk e blen, se do të kapet menjëherë për shkak të makinës. Kurse këtu i sheh në mes të Bllokut të parakalojnë pa e prishur terezinë. Të bëjnë edhe karshillëk madje. Sepse nuk kanë frikë nga shteti. Ja, ky është ndryshimi”.
Në fakt, në shoqëri njerëzore jetojmë të gjithë, ndryshimi qëndron në atë se si sillemi. Në shoqërinë tonë, fatkeqësisht krimi shëtit sheshit. Madje edhe po vret pa e prishur fare terezinë. Numri i kriminelëve, të rinj shumica, që shëtisin të lirë nëpër rrugët e qyteteve tona, një pjesë e mirë me makina luksoze dhe të armatosur, është shtuar aq shumë, sa nganjëherë të duket se janë në gjendje ta mbysin shoqërinë nëse ajo kërkon t’i luftojë seriozisht.

A është kështu, apo e teproj? Nuk e teproj nëse konsiderojmë se këto akte që bëjnë bujë janë thjesht maja e ajsbergut, apo thjesht qelbi që del nga një pus infeksioni shumë i thellë në trupin e shoqërisë sonë. Sipas meje, ata që për një sherr banal marrin kallashnikovin dhe vrasin kë t’u dalë përpara, siç ndodhi në Vlorë, nuk se janë qytetarë normalë që për një çast humbasin mendjen. Ata janë kriminelë që jetojnë nëpërmjet krimit dhe që ndihen aq të pakërcënuar nga shteti dhe ligji, sa u shkon mendja se mund të bëjnë akte të tilla. E përsëris: janë vetëm maja e ajsbergut të krimit. Sepse edhe ata pronarët e lokalit që i kanë parë të hyjnë në lokalin e tyre me kallash në duar dhe nuk kanë ndërhyrë, madje as i kanë kallëzuar në polici, janë, në një mënyrë a në një tjetër, ose të lidhur  me këta, ose të terrorizuar, sepse e dinë se çfarë i gjen. Sepse, po ashtu, nuk është rastësi që këta kriminelë janë kapur e lëshuar nga policia disa herë, derisa arritën të kryejnë këtë vrasje llahtar. Ne e dimë shumë mirë se edhe policia, në një mënyrë apo në një tjetër, ha me apo nga këta. E ripërsëris: fakti që kriminelë të tillë shëtisin kaq të patrazuar kur nuk vrasin, madje shpesh edhe pasi vrasin – siç ma përshkruante eksperti që përmenda – është shenja më evidente se ne kemi ndërtuar një sistem simbioze me krimin. Në një shkrim të paradokohshëm këtë e kam quajtur “të hash nga ujku”. Dhe po qe se duam të merremi seriozisht me luftën kundër krimit, duhet të merremi me atë që qëndron poshtë ajsbergut.

Kur kërkojmë të kuptojmë se pse kemi arritur deri në këtë pikë, nuk duhet të harrojmë disa faktorë të rëndësishëm. Së pari, ne dolëm me një sistem krejtësisht të dështuar ekonomik ku, përveç emigracionit një burim kryesor mbijetese u bë edhe krimi – në formën e trafiqeve njerëzore, të drogës, prostitucionit dhe të krimeve të tjera të ndryshme. Së dyti, ne dolëm me një eksperiment që nuk mbahet mend të ketë ndodhur në historinë njerëzore: nga një sistem ekonomik ku gjithçka ishte pronë kolektive, në një sistem ku kjo pronë do të privatizohej. Edhe kjo, duke pasur parasysh edhe pikën një, u bë burim plaçkitjeje dhe pasurimi të shpejtë. Së treti, që ka të bëjë me faktorin njeri,  ai sistem dështoi edhe përsa i përket kapitalit më të çmuar. Në vend të njeriut të ri që sakrifikohej për të tjerët, shoqërinë, socializmi prodhoi një njeri që pikërisht pse iu mohua çdo shprehje e interesit personal u kthye në një monstër interesi personal që e shfaqi trajtën e tij më monstruoze tek elita e re drejtuese.
Për fat të kaq duhet thënë se krimi është mëkati fillestar i këtij tranzicioni që po na ndjek duke u bërë gjithnjë e më kërcënues. Dhe kërcënimi më i madh vjen ngase krimi sa më shumë që është forcuar, aq më fort e ka kapur shtetin, politikën. Dhe një politikë që jeton nëpërmjet krimit dhe për krimin, e ka vështirë të luftojë krimin. Mjafton të kesh parasysh piramidat dhe gjëmën që krijuan ato. Siç e kam thënë edhe në shkrimin “Të hash nga ujku”, krimi i organizuar dhe i çorganizuar jeton në simbiozë me shoqërinë tonë. Shikoni pallatet që janë ngritur nëpër Shqipëri. A është ulur kush të bëjë kalkulimin se si janë gjetur tërë këto para? Askush. Sepse ato para janë burimi kryesor i mbijetesës edhe për njerëzit që nuk dinë të përdorin kallashnikovin, por vetëm mistrinë dhe çekanin. Politikanët e quajnë “zhvillim”, por në fakt e kanë shumë të qartë se është krim, ndaj njeriut, ndaj territorit dhe ndaj të ardhmes së fëmijëve tanë, që e bëjnë ata për interesat e tyre personale.

Kjo, pra, është klima e përgjithshme në të cilën lulëzojnë dhe shpërthejnë pastaj edhe akte si ai i Vlorës. Nuk mund të harroj se kur erdhi në pushtet PD-ja e Sali Berishës, ndër premtimet e shumta (të pambajtura) bëri edhe atë që do të ndalonte makinat me xhama të zinj. Sot ndalon makinën në semafor dhe sheh gjithnjë e më shpesh se përbri teje ka ndaluar një makinë e madhe, e re, me xhama të zinj prej nga ti nuk mund të shohësh assesi se cili është prapa. Kush ka parë shumë filma policorë, ka rrezik t’i ngjallet paranoja se prapa atij xhami dikush mund ta qëllojë e të ikë i patrazuar në rrugën e tij. Po për çfarë filmash po flas, a nuk ndodhi kështu vrasja e shoferit të njërit prej kryeprokurorëve tanë? A nuk e vranë kështu një shef policie?
Si pasojë, kjo strukturë ekonomike e politike kriminale ka krijuar edhe sistemin e vet të vlerave dhe njeriun monstër të ri, ku të kesh një fuoristradë të blerë me pare droge dhe të kesh kallashnikovë në bagazhin e saj, që mund t’i përdorësh për çdo rast, nuk quhet krim, por normalitet në këtë shoqëri. Në këtë aspekt, vrasësit e Vlorës, aq sa ç’mund të konsiderohen kriminelë, mund të konsiderohen edhe viktima të kësaj shoqërie.

Gjer këtu, do të më thonë kritikët e shkrimeve të mia, nuk na ke thënë ndonjë gjë të re, madje i dimë dhe vetë, a mund të na thuash ndonjë gjë se si të dalim nga kjo gjendje?
Është e vërtetë se tmerri që të kap kur dëgjon një lajm të tillë si ai i Vlorës, ku një kriminel vret tre njerëz sepse motrës së shokut të tij i kanë kërkuar adresën e Facebook-ut dhe ikën i patrazuar, flet shumë më tepër nga ç’thashë më lart edhe për ekonominë dhe shtetin e kapur nga krimi, edhe për sistemin e vlerave në Shqipëri. Por, nga ana tjetër, mendoj se nuk duhet të reshtim së vëni në dukje se përgjegjësia kryesore mbi këto krime bie mbi politikën jo thjesht si paaftësi, por edhe si nxitje me veprimet e tyre për veprime kriminale në shoqëri. Sepse media ka një tendencë ta trajtojë krimin e ashtuquajtur të kronikës së zezë si të palidhur me krimet e atyre me kollare dhe këmishë të bardhë. Kurse unë mendoj se ata i inkurajojnë shumë këto krime. Prandaj, ndaj pyetjes “ç’duhet bërë?”, përgjigjja për mua është e thjeshtë: duhet ndërprerë simbioza e njeriut shqiptar me krimin, ngrënia nga ujku. Si mund të bëhet kjo? Ka një hap të parë në çdo gjë, i cili t’i dikton vetë pastaj edhe hapat e tjerë. Hapi i parë është ai që politikanët që sapo kanë ardhur në pushtet dhe kanë marrë në dorë qeverinë duhet të reshtin së ngrëni me ujkun dhe për ujkun. Kjo mund të çojë në hapin e dytë, largimin nga ujqit dhe pastaj në hapin e tretë, izolimin e ujqve dhe dënimin e tyre. Pa pikë dyshimi ky ndryshim në sjelljen e tyre do të reflektohet edhe në sjelljen e atyre që janë më poshtë. Kjo është rruga e vetme. Teknikalitetet gjenden lehtë nëse ekziston ky vullnet ndryshimi.

Ti po u kërkon ujqve të ndërrojnë natyrë, do të më ironizonin shumë lexues, duke ma kthyer shkrimin në rreshtat e para. Në thelb po, duhet një mutacion, një lindje e re, jo një rilindje siç e ka quajtur Rama atë që synon të bëjë. Përndryshe edhe më zi do të shkojë kronika e zezë. /PANORAMA

Lajme të ngjashme

Back to top button