FRI dekoroi më të mirët me rastin e Vitit të ri islam

Për të katërmbëdhjetën herë me radhë, Forumi Rinor Islam organizoi manifestimin tradicional të Vitit të ri islam, Hixhri 1436. Manifestimi në fjalë u mbajt mbrëmë (27.10.2014) në Sallën Universale në Shkup. Ashtu siç është traditë e këtij manifestimi, edhe mbrëmë u dekoruan shkollarët e mesëm dhe studentët më të dalluar të shkollave dhe universiteteve nga qytetet më të mëdha të vendit.

Përveç kësaj, u ndanë edhe çmimi “Hafizi i ri i vitit” të cilin Forumi Rinor Islam e ndan tani më katër vite me radhë, dhe çmimi “Shkencëtari i ri i vitit” i cili sivjet u nda për të pestën herë në këtë manifestim. E veçanta e kësaj radhe qe fakti që ky çmim u nda nga hafiz Ajdin Aliji, i cili disa vite më parë, në po këtë manifestim ishte dekoruar me çimimin e njejtë.

Çmimi “Hafizi i ri i vitit” shkoi për hafizin dymbëdhjetë vjeçar, Sabaudin Jeton Shasivari nga Tetova, ndërkaq si shkencëtare e re e vitit u dekorua Vjollca Qerimi, magjistër i farmacisë.

Siç është traditë, edhe në këtë manifestim pati mysafirë e të ftuar special, në mesin e të cilëve qenë ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Abilaqim Ademi, nën-kryetari i komunës së Yskydarit (R. Turqisë), z. Sedat Ajëlldëz si dhe hafizi dhe interpretuesi i ilahive me famë botërore, Mustava Ozxhan.

Traditë e këtij manifestimi është edhe dekorimi i personaliteteve me arritje e kontribute të veçanta, dekorime këto të cilat sivjet iu dhanë z. Shaban Tërstena, për arritjet e tij në fushën e sportit, akademik Abulmenaf Bexhetit, për kontributin e tij shkencor, Shoqatës Edukative “Vllaznia”, për kontributin e saj shoqëror dhe ndërmarrjes tregtare “Pulimsa Impeks”, për përkrahjen e vazhdueshme të punës së Forumit Rinor Islam.

Ndërkaq, pika më emocionuese e këtij manifestimi, si çdoherë, ishte dekorimi i studentëve më të mirë të Universitetit Shtetëror të Tetovës, Universitetit të Shkupit, Universitetit Ballkanik, Universitetit FON dhe Universitetit të Evropës Juglindore. Kjo pikë arriti kulminacionin me shpalljen e studentit më të mirë për Hixhrin 1436, Suad Saliu, dhe më pas edhe me daljen në skenë të robotit të bashkë-programuar nga studenti në fjalë, i cili në gjuhën angleze falënderoi Forumin Rinor Islam dhe përgëzoi studentët për suksesin e tyre.

Me këtë, u përmbyll manifestimi duke e nxjerrë në pah edhe një herë theksin e veçantë që ky manifestim vë mbi dijen dhe arsimin.

Lajme të ngjashme

Back to top button