fbpx

Do bëhet

Vazhdimisht, veçmas kur binte të flejë i kujtoheshin fjalët e mësueses së historisë, e cila me retorikën e saj dhe me zërin melodik e bënte Atë që të ndjehej në kohët e lashta. Ato fjali aq të renditura bukur, ato mendime të lidhura e të rrjedhshme thjeshtë e mbanin në grusht. Dhe, ai nga dita në ditë futej së shtigjet e çuditshme të historisë. Muaj për muaji, pastaj javë për jave dhe në fund thuajse ditë për dite blinte ndonjë libër ose, së paku shkonte në bibliotekë të lexojë diçka nga e kaluara. Natën, ndërkaq, s’e merrte gjumi. Sa i mbyllte sytë e shihte Darin e Parë si i printe ushtrisë së tij drejt poliseve helene, e dëgjonte trokun e kuajve, pastaj Pirron e famshëm, Teutën. Skënderbeun. Këto kohë e këto figura e përbënin botën e tij.

Ishte maturant dhe vendosi: do ta studioj historinë! Dhe, s’kishte kush ia ndërron mendjen.

Ndërkohë fatkeqësia i doli përpara mu në çastet kur duhej të hapeshin dyert e ëndrrës së tij të madhe. Duke i ndihmuar të atit që ishte marangoz, Ai e preu dorën! Mbeti me një dorë. Me të majtën. Iu desh kohë që të ushtrojë të shkruante me të majtën. Iu bë barrë e madhe handikapi, por nuk mundi ta largojë dashurinë e tij për historinë. “Do ta studioj historinë dhe pikë”! thoshte i vendosur.

Shkoi në provim pranues. Ndonëse ishte më i miri, në sytë e profesorëve të fakultetit, anëtarë të komisionit ai lexoi diçka refuzuese, por që nuk mundnin t’ia thoshin. Kuptohet: handikapi ishte ai që u pengonte profesorëve, mendoi ai.  Doli nga provimi nervoz, dridhej nga një shqetësim, ndërsa prapa i shkonte frika se nuk do ta ketë dhënë provimin, ndonëse atë që e kishin pyetur, Ai e kishte thënë si vjershë.

Duhej pritur një javë rezultati. Për çdo ditë i përhihej se do t’i vinte lajmi i keq: Nuk je pranuar! Dhe këto tri fjalë i kumbonin keq, i vinin si një jehonë që përplasej nga njëri mur në tjetrin e e goditnin në vesh: Nuk je pranuuuaaar! Nuk je pranuuuaaar! Dalëngadalë nisi t’i humbë oreksi, netët i kalonte pa gjumë. I vetmi mik që nuk e linte vetëm në këto çaste ishte libri. Ai i ndihmonte ta zbusë tendosjen e mallkuar që filloi të ushtrojë pushtet nga çasti kur mbeti pa dorë dhe që iu ngrit edhe më pas pasigurisë nga provimi pranues.

Rrinte në ballkon gjatë netëve të shkurta të verës pranë një qiriu që digjej njësoj siç digjej edhe vetë Ai nga dëshira për t’u regjistruar në fakultetin e historisë dhe nga frika se mos nuk e pranojnë. Zemra i regëtinte fort. U bë aq i ndjeshëm sa që edhe ndonjë kandër nate kur i afrohej qiriut me zukamë, Ai reagonte thuajse është ndonjë njeri i cili ia sjell lajmin e padëshiruar. Për fat të keq këtyre reagimeve ndaj zërave iu bashkuan edhe fjalët e buta të nënës së cilës thuajse i ishin shterur sytë nga lotët që i derdhte për të birin.

Më në fund trokiti dera, të cilën e hapi nëna dhe plot gaz e hare vrapoi drejt ballkonit ku Ai rrinte mbi libër.

“Myzhde, myzhde”! bërtiste nëna.

Atij nisi t’i dridhej buza e poshtme. Por nuk iu hoq qafe ajo tendosja e mallkuar, ajo kafshë e zezë që ia hante shpirtin. U  ndal mori frymë thellë dhe u mundua të duket i qetë para nënës e cila e përqafoi fort duke përsëritur!

“Të kanë pranuar! Të kanë pranuar”!

Natën tjetër, pas lajmit se e kishin pranuar, e kaloi duke bërë plane. Filloi ta qortojë veten pse i kishte lexuar si refuzim shikimet e profesorëve – anëtarë të komisionit për provim pranues.

E kishte të qartë se tash fillonte beteja e tij më e rëndësishme në jetë: fakulteti! EIshte i sigurt se do t’ia dalë. Vendosi që menjëherë ta kërkojë programin e mësimeve dhe në bazë të tij ta sigurojë edhe literaturën.

Vitin e parë e mbaroi me dhjeta. Edhe të dytin – po ashtu. Kur erdhi në vitin e tretë, në provimin e historisë së Mesjetës, u ballafaqua me një të papritur: një profesoreshë, e cila kishte qenë anëtare e komisionit në provimin pranues.

“Si do të dalësh ti para nxënësve kështu, me një dorë”?! e pyeti ajo me një gjakftohtësi, me një maqedonishte të anës së Manastirit.

Ai u ndal dhe si asnjëherë më parë u përqendrua, i liruar nga emocionet. E kroi pak kokën pas veshi dhe pa folur fare, vendosi: e mori indeksin dhe doli jashtë, pa i pritur pyetjet. Ishte një pyetje e rëndë si shkëmb. As ai nuk e mbante mbi supa dot! U nis drejt stacionit të autobusit duke iu munduar t’i ndërronte këmbët që në ato çaste i dukeshin të rënda, shumë të rënda. E ktheu kokën djathtas dhe e pa librarinë. Hyri brenda i shikoi me radhë të gjitha librat e renditura mbi tavolina dhe nëpër rafte. E nxori notesin dhe i shënoi disa tituj studimesh të historisë.

Derisa shkonte në shtëpi mendonte se si t’ia bëjë. I renditeshin gjithfarë mendimesh. Ndër to edhe mundësia ta braktisë fakultetin. Jo, jo, kjo e fundit – kurrsesi! Në atë çast iu kujtua se kishte një mundësi tjetër: të kërkojë komision për ta dhënë provimin, pa praninë e profesoreshës që e vuri në këtë pozitë. U kthye, e dha kërkesën.

Pas disa ditësh e informuan se kërkesa i është pranuar. E dha provimin me sukses të shkëlqyeshëm. Pastaj me radhë – edhe provimet tjera. Të gjitha. Të vitit të tretë e të vitit të katërt. Në fund mori frymë thellë dhe tha: edhe kjo punë u bë!

Mirëpo nuk mundi ta marrë me mend se do të vijë halli tjetër: punësimi!

Priti një vjet – s’u bë. Dy, tre, katër, dhjetë njëzet… I bëri dyzet e sa vjet moshë duke pritur. Në njërin nga konkursin e fundit që i shpall qeveria ata të partisë i thanë se në këtë konkurs ka arritur të jetë i njëzetepesti në listë. Do bëhet, i thanë.

Ai doli me një buzëqeshje të hidhur dhe shkoi kah libraria. I shpenzoi paratë që nëna ia kishte dhënë të blejë harxh në Pazar. Përsëri gjeti dhe i bleu disa libra të historisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Tags

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button
Close