S’ka tolerime për diplomatët

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka deklaruar se çdo sjellje jodinjitoze dhe e pahijshme e diplomatëve të Kosovës do të ndëshkohet në bazë të konventave ndërkombëtare dhe ligjeve të Shtetit.

Ai ka thënë se masa më e lehtë për diplomatët që bëjnë shkelje do të jenë kthimi i tyre në Kosovë e deri të përjashtimi nga shërbimi diplomatik.

“Ju siguroj se për çdo rast që del në publik apo raste të tilla që nuk dalin në publik unë do të jem jashtëzakonisht koherent”, ka thënë Hoxhaj, për Gazetën Express, të shtunën.

Një ditë më parë, zëvendës-ambasadori i Kosovës në Kroaci, Urtak Hamiti është prangosur në Zagreb për shkak se në gjendje të dehur me veturën e tij kishte goditur vetura tjera.

Kryediplomati Hoxhaj ka treguar se Hamiti është tërhequr nga Zagrebi, ndërsa prej javës së ardhshme me rastin e tij do të merret një komision hetimor.

“Nga e hëna do të ketë një komision që do të merret me rastin konkret”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka thënë se pasi të hartohet raporti profesional nga Komisioni Hetimor do të ndërmarrë edhe veprimet tjera ndaj Hamitit.

“Në atë moment kur unë jam informuar nga Ambasada e Kroacisë në Kosovë, e cila ka dorëzuar një notë verbale ku e shpreh shqetësimin e saj, dhe ku kërkon nga Republika e Kosovës që të sillet në përputhje me Konventën e Vjenës, unë kam marrë vendim që fillimisht ta tërheq z. Hamiti nga Zagrebi në Prishtinë. Në të njëjtën kohë, kam marrë vendim që të themelohet një komision, i cili do të duhej ta shqyrton rastin në tërësi dhe mandej komisioni duhet të propozoj mua pas një analize të mirëfilltë juridike profesionale dhe politike se çfarë masash duhet të marrë unë ndaj tij”, ka thënë Hoxhaj.

Lajme të ngjashme

Back to top button