Shqipëria iu tha lamtumirë zgjedhjeve!

Një muaj e 10 ditë pas zhvillimit të votimeve të përgjithshme parlamentare, Shqipëria mbyll zyrtarisht procesin zgjedhor.

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve u certifikuan nga Kolegji Zgjedhor, një trupë gjyqtarësh të përzgjedhur pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë, për shkak se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nga një ngërç i krijuar disa muaj më parë nga tërheqja e të anëtarëve të opozitës së asaj kohe, nuk mund të certifikojë zgjedhjet për shkak të mungesës së kuorumit prej 5 anëtarësh, shkruan gazeta Start.

Nga certifikimi i zgjedhjeve, zyrtarisht fitues shpallet koalicioni i majtë me 83 mandate deputetësh, një mazhorancë e fortë në Parlament, ndërsa koalicioni i djathtë ka 57 mandate.

Për sa i përket partive, e para renditet Partia Socialiste, e cila ka fituar 65 mandate në Parlament, aq sa në vitin 2009, e ndjekur nga Partia Demokratike me 46 deputetë, rreth 20 mandate më pak se në zgjedhjet e shkuara.

E treta renditet Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila nga katër mandate që mori në vitin 2009, në këto zgjedhje mori plot 16 mandate.

Fuqizim ka pasur edhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e njohur si partia e çamëve, e cila ka marrë 5 mandate, e ndjekur nga Partia Republikane me 4 mandate, ajo Demokristiane me një mandat.

Gjithashtu, nga një mandat deputeti mori edhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, ajo për Zhvillim Kombëtar si dhe Partia Kristian Demokratike Shqiptare.

Sipas Kushtetutës, Kuvendi i ri nis punën zyrtarisht javën e parë të shtatorit dhe brenda 10 ditëve nga zhvillimi i seancës së parë, bëhet betimi i qeverisë së re, e cila është konstituuar tanimë dhe pret vetëm miratimin formalisht nga deputetët. Edhe gjatë këtyre zgjedhjeve, humbësi akuzoi fituesin për manipulim dhe vjedhje të votave./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button