Dërgohet ankesa për rastin Monstra, Ajdari: Rëndë të jesh i vetëm kundër shtetit

Pala mbrojtëse e rastit “Monstra” dorëzoi të premten ankesën në Gjykatën e Apelit lidhur me aktvendimin që u shpall për të akuzuarit e këtij rasti.

Avokati mbrojtës, Naser Raufi bën të ditur për Portalb, se tani pritet përgjigje nga prokuroria e cila duhet të jepet në afat prej tetë ditëve.

“Ne përpunuam ankesën lidhur me aktvendimin dhe e dorëzuam në Gjykatën e Apelit, dhe tani presim që në afat prej tetë ditësh të del me përgjigje prokuroja. Më pas duhet të formohet komisioni prej 5-6 gjykatësve të cilët do të shqyrtojnë rastin dhe do e trajtojnë atë para publikut”, tha për Portalb, Raufi.

Ai shtoi se gjatë muajit nëntor do të bëhet shqyrtimi dhe për shkak të festave të dhjetorit dhe rëndësisë se rastit, pritet që në muajin shkurt të kemi një përgjigje lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit.

Nga ana tjetër pritja dhe zgjatja e procedurave është bërë një rutinë për familjet e të akuzuarve. Me ç’rast familjari Bedri Ajdari thotë se edhe një ditë të kalojë, është e tepërt për ata sepse ata janë pas grilave duke qenë të pafajshëm.

“Shumë janë shtyrë procedurat, është tepruar. Me datë 26 tetor ka skaduar afati i paraburgimit, por meqenëse u vonua aktvendimi dhe tani sapo është bërë ankesa, atyre do të iu shtyhet sërish paraburgimi. Është e tepërt që gati tre vite të qëndrojnë në paraburgim njerëz të pafajshëm”, tha për Portalb, Ajdari.

Ai nuk është shumë optimist sa i përket vendimit të gjykatës së Apelit.

“Nuk e di se si do të vendos Gjykata e Apelit, po që se ka drejtësi dhe respektohen ligjet, të akuzuarit moti kohë do të ishin njerëz të lirë, sepse nuk kanë pikë faji. Por ja që ata u akuzuan madje edhe me burg të përjetshëm. Shpresoj që drejtësia të triumfojë por është vështirë të jesh vetëm kundër shtetit”, tha Ajadri.

Të burgosurit mbesin pa bukë

Familjarëve të të akuzuarve për rastin Monstra, nuk iu lejua që të fusnin ushqim më shumë se 5 kilogram, gjë që edhe avokati i popullit Izhet Memeti konstatoi se është kund rregullores e cila thotë se në burg mund të futen deri ne 10 kilogram ushqim.

Bedri Ajdari thotë se është informuar nga një person se familjarët e tij ankohen se nuk kanë ushqim.

“Na u lajmëruan se familjarët tanë kanë ngel pa bukë dhe se ushqimi i burgut është i tmerrshëm dhe nuk hahet as nga kafshët, kjo është konstatuar disa herë. Me 1 nëntor e kemi vizitën e radhës dhe ne prap do të nisemi me 10 kilogram ushqim, kësaj radhe do të na lejojnë të hyjmë sepse tani e dimë rregulloren dhe nuk mund të na mohohet e drejta e jonë. Nëse prapë na ndodh si herën e kaluar, nuk di çfarë të them, kundër shtetit është rënd të jesh”, tha për Portalb, Ajdari. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button