Sulmohet me thikë gazetari i Klan Kosovës, Milot Hasimja

Gazetari i njohur dhe kryeredaktori i programit të mëngjesit në Klan Kosova, Milot Hasimja, ka shpëtuar mrekullisht nga një sulm vrasës që ndodhi sot paradite në ambientet e televizionit ku ai punon. Aktualisht, Hasimja ka dalë nga salla e operacionit të qendrës së emergjencave në Prishtinë dhe foli për mediat.

Personi i armatosur ka shkuar në zyrat e Klan Kosovës, në qendrën tregtare të Bregut të Diellit, dhe ka kërkuar të takohet me Milot Hasimen. Sapo gazetari është shfaqur për ta takuar, personi e ka sulmuar menjëherë për ta vrarë, duke e qëlluar katër herë me thikë në qafë. Vetëm ndërhyrja e kolegëve të Hasimes që u ndodhën aty, bëri që agresori të largohet.

Pasi ka mbetur për disa kohë i ngujuar brenda qendrës tregtare, ai është arrestuar nga policia. Nuk dihen motivet e këtij sulmi mbi gazetarin e njohur. Milot Hasimja është një nga gazetarët themelues të televizionit Klan Kosova dhe kryeredaktor i Ora 7, programit më të ndjekur të mëngjesit në Kosovë.

AGK e dënon sulmin kundër gazetarit Hasimja

Asociacioni i gazetarëve të Kosovës (AGK) me shqetësim e ka marrë Lajmin për therrjen me thikë të gazetarit të Klan Kosovës, Milot Hasimja, derisa ishte duke e kryer punën në zyrën e tij.

Mëtutje, në kumtesën e AGK-së theksohet se “dënohen ashpër sulmet e këtilla dhe u bëhet thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin masa urgjente ndaj sulmuesit”.

AGK është njoftuar se gjendja e gazetarit, Milot Hasimja, përkundër lëndimeve, është jashtë rrezikut për jetë dhe se aktualisht po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

Duke konstatuar se “sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve janë shqetësuese dhe të patolerueshme”, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës këtë sulm e cilëson si “kërcënim ndaj fjalës së lirë dhe profesionit të gazetarisë”.

Lajme të ngjashme

Back to top button