Majko: Shqiptarët e serbët keqkuptojnë lirinë

Ish-kryeministri, Pandeli Majko, në vazhdën e “betejës” së ndezur mes serbëve dhe shqiptarëve, ka nxjerrë një pikë të përbashkët mes tyre. Në një status në rrjetin social “Facebook”, Majko shkroi dje: “Shqiptarët dhe serbët i ‘bashkon’ diçka?! Të dyja kombet i bashkon keqkuptimi i lirisë në historinë kombëtare dhe janë prova se regjimet fillojnë si kritikë estetike, vazhdojnë si moralitet dhe përfundojnë si dhunë.

Për dhunën, shqiptarët fajësojnë më shumë veten, ndërsa serbët akuzojnë të tjerët…”, shkroi dje, deputeti socialist, ndërsa i uronte miqtë në rrjetin social: “Mirëdita Tiranë! Ora ka ndryshuar me një orë. Të tjerat janë po ato!”. Në reagimet e tij të ditëve të fundit në lidhje me ndeshjen Serbi-Shqipëri, Majko në fakt nuk u duk aq i çuditur si të tjerët me këtë reagim të palës serbe.

Për ish-kryeministrin, që ka udhëhequr vendin në kohën e luftës së Kosovës, “serbët janë po ata që kanë qenë, ripohuan disa gjëra që kanë në marrëdhënie me ne, por kjo s’ka përse të na habisë, apo të na vendosë në ndjenjën e një presioni se duhet të bëjmë diçka, që të jemi në nivelin mental të tyre”. “Nëse do ecnim me këtë logjikë, që shteti shqiptar të ishte në të njëjtin nivel mental me përgjigjet e dhëna nga Serbia, atëherë do të thotë që ne të binim në lojën e tyre. Kështu që, e përsëris, mënyra se si institucionet e shtetit shqiptar janë përgjigjur kanë prodhuar racionalizëm”, – u shpreh deputeti Pandeli Majko, pak ditë më parë në një intervistë televizive, citon ballkanweb.

Risi për Majkon ishte qëndrimi që mbajti qeveria shqiptare, e cila sipas tij nuk mbylli kanalet e komunikimit me Serbinë, për të cilën ai mendon se jemi të shtyrë edhe nga një arsye e fortë. “Ne kemi mbi shpinë fatin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që herë i kujtojmë dhe herë të tjera në të shkuarën edhe i kemi harruar, por ne jemi përgjegjës për fatin e tyre nën shtetin serb”.

Lajme të ngjashme

Back to top button