Berisha: Rama do të shkojë në Beograd si këlysh i rrahur

Vizita e 10 nëntorit që Kryeministri shqiptar, Edi Rama, do të zhvillojë në Serbi e ka detyruar sërish paraardhësin e tij, Sali Berisha, që të vijojë komentet lidhur me shkakun e kësaj vizite.

Sipas tij, shtyrja e vizitës për gjashtën herë radhazi nga pala serbe dhe obsesioni i Ramës për ta zhvilluar këtë vizitë, janë shkaqet që në 10 nëntori Rama do shkojë në ‘Beograd si këlysh i rrahur’.

“Shtyrja gjashtë herë e kësaj vizite nga Beogradi dhe obsesioni, por dhe sevdaja e Ramës për këtë vizitë: të dy këta faktorë, të injoruar me qëllim apo pa qëllim, në të gjithë polemikën e gjerë rreth kësaj vizite, u shfrytëzuan pacipësisht nga pala serbe për të luajtur me Ramën si macja me miun dhe pritur atë në Beograd thjesht si qesharak që ka pranuar shtytjen rekord të vizitës së tij, apo siç i themi në gjuhë popullore si këlysh të rrahur”, shkruan Berisha.

Duke vijuar më tej, në komentin e tij të gjatë rreth fakteve të shtyrjes së kësaj vizite të cilën ai e cilëson si tragjiko-komike, Berisha krijon alibi për ndonjë marrëveshje të kërkuar nga Beogradi për Kosovën.

“Djallëzisht, Beogradi, lidhi vizitën e Ramës me atë të Enver Hoxhës. Këtë ata e bënë jo vetëm se Hoxha është ati shpirtëror i Ramës, por se në të vërtetë, Hoxha u prit në Beograd vetëm pasi ra dakord plotësisht me projektin e Titos të shndërrimit apo dorëzimit të Shqipërisë si Republikë e 7-të Jugosllave. Pra, Hoxha në Beograd, shkoi thjesht si vasal. Kurse për Ramën, ajo që dihet është se nga Beogradi iu kërkua të diskutohet për Kosovën, gjë që ne e kishim refuzuar në mënyrë kategorike. Kosova është vend i pavarur, ka organet e veta përfaqësuese. Gjithashtu, Ramës iu kërkua të pranojë nismën Fule apo ËB6 (6 shtetet e Ballkanit Perëndimor), që në fakt synon të krijojë mini-Jugosllavinë me kryeqytet Beogradin, dhe Rama e ka pranuar edhe këtë. Ne e kishim refuzuar këtë nismë si një nismë që synon të rikthejë të institucionalizuar epërsinë serbe në rajon”, shkruan Berisha në reagimin e tij. /shqip/

Lajme të ngjashme

Back to top button