Aeroplani i James Berishës gjendet në Kosovë

James Berishën të gjithë e kujtojmë për misionin e tij individual që kishte ndërmarr vite më parë për të lobuar nëpër botë për të shtuar numrin e njohjeve për Republikën e Kosovës.

Ai ishte bërë edhe lajm botëror kur ishte paraburgosur në Eritrea për 3 muaj, pasi akuzohej për spiunazh, ndërsa ai po e vazhdonte misionin e tij lobues për shtetin e ri të Kosovës.

Veç këtij arrestimi, Berisha ishte përballur edhe me shumë probleme gjatë rrugëtimit të tij nëpër shumë shtete të botës, nga mungesa e ushqimit, e derivateve për aeroplanin e tij si dhe me mungesë të parave.

Me aeroplanin e tij Cessna 172, Berisha ka kaluar mbi 97 shtete të otës në kërkim të njohjeve për Kosovën.
Por, tash e një kohë të gjatë, lobuesi shqiptar është lënë në harresë nga të gjithë.

Koha.net ka zbuluar një fotografi të aeroplanit të famshëm të Jamesit, fotografi e postuar në rrjetet sociale nga mbesa e tij.
Nën fotografinë e postuar në Instagram, ajo kishte shkruar: “Ardhja e aeroplanit të xhaxhait tim”.

Dihet se James Berisha vjen nga fshati Brestovc i komunës së Rahovecit, ndërsa edhe fotografia duket se është shkrepur diku në Kosovë, bazuar nga ambienti rrethues. Koha.net e ka pasur të pamundur të konfirmojë nëse fotografia është shkrepur rishtazi apo më herët, mirëpo bazuar në komentin e mbesës së Jamesit, e cila së bashku me familje jeton në Zvicër, lë të kuptohet se aeroplani ka arritur në Rahovec!

Kujtojmë se për misionin e Jamesit ishte krijuar edhe një lojë për telefona mobil falë punës së Arian Dedajt, i cili e kishte sjellë në Google Play lojën e quajtur “James Adventure” – Please Recognize the Independence of Kosovo” dhe që bazohet rreth misionit të James për të kapur njohje të reja të Kosovës e për të falënderuar ato që e kanë njohur deri më sot.(Koha Ditore)

Lajme të ngjashme

Back to top button