U shënua në Shkup viti i ri musliman, “Hixhri 1436”

Me rastin e Vitit të Ri “Hixhri 1436” dhe 30 vjetorit të Shkollës së Mesme Islame “Medreseja Isa Beu”, në Sallën Universale në Shkup u mbajt akademi solemne e organizuar nga Bashkësia Fetare Islame (BFI) e Republikës së Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë akademi solemne prezent ishte kryetari i BFI-së Sulejman Rexhepi, nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Ali Zaimi, sekretari i Bashkësisë Islame të Kosovës Resul Rexhepi, ambasador dhe përfaqësues të ambasadave, përfaqësues të partive politike, përfaqësues të pushtetit qendror e lokal, përfaqësues institucionesh, student, nxënës, si dhe të ftuar që kishin ardhur nga Turqia enkas për të ndjekur këtë manifestim artistik.

Fillimisht u bë hapja solemne me korin dhe orkestrën e BFI-së, nga dirigjenti Abas Jahja. Ndërkohë u paraqitën edhe solistet nga Universiteti Shtetëror i Tetovës, Ajla Xhemaili, Elita Ziberi dhe Albina Destani, kurse me kaside u paraqit Muhsin Sulejman. Në skenë nuk munguan edhe artistët më të mirënjohur të trojeve të Shqipërisë dhe Kosovës, Myfarete Laze, Dritan Boriçi dhe Çun Lajçi.

Me rastin e 30 vjetorit të themelimit të “Medresesë Isa Beu” u prezantua një dokumentar i përgatitur për këtë shkollë të mesme islame ku shpjegonte se kjo Medrese ka qenë, është dhe gjithmonë do të jetë në gjendje që të mund integritetin, dinjitetin, të drejtat e popullit mysliman në mënyrë tolerante ashtu siç na ka mësuar Kurani i vlefshëm dhe tradita profetika e Muhamedit a.s.

Dokumentari tregonte për medresantët të cilët gjatë këtyre tre dekadave kanë arritur suksese të shkëlqyeshme në lëmi të ndryshme, ku nxënësit e kësaj shkolle kanë qenë pjesëmarrës nëpër gara të ndryshme ndërkombëtare.

Kryetari i BFI-së Sulejman Rexhepi përshëndeti të pranishmit dhe në fjalimin e tij theksoi se meqë fjala Hixhret do të thotë emigrim, sot përkujtojmë një ditë që shënon një shpërngulje të pejgamerit Muhamedi a.s. prej Mekes në Medine, aktin të papërsëritshëm në historinë e njerëzimit, dhe vendimin e shenjtë për krijimin e umetit musliman dhe të themelimit të shtetit islam të ngritur mbi tri parime barë: drejtësisë, urtësisë dhe bashkë jetesës në nivelin vëllazëror.

Në fund BFI ndau çmime personaliteteve të çmuara në fusha të ndryshme. Çmimi i artë instuticional dhe akademik me emrin “Myfti Vehbi Dibra”, u nda personalisht nga kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi. Në fillim çmimi u nda për drejtorin e “Medresesë Isa Beu” – Ibrahim Idrizi, hafëz Mahmud efendi Asllani, përgjegjës në programin e gjuhës shqipe në Radio Shkupi – Haki Mustafa, drejtor i ndërmarrjes Renova – Shefki Idrizi dhe autor i enciklopedisë “Bardhësit e Atdheut” – Afrim Mustafa i cili poashtu solli një mirënjohje nga Kosova për kontributin dhe për respektin e Rexhepit për sensibilizimin e enciklopedisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button