Organizimi administrativo-politik në Republikën Federale të Gjermanisë

Gjermania ka një histori dhe traditë të lashtë të organizimit shtetëror, për këtë arsye shumica e mendimtarëve nga fusha e historisë të së drejtës dhe krijimit të shteteve, historinë e shtetit Gjerman e ndajnë në dy periudha: para dhe pas përfundimit të luftës së dytë botërore. Që nga e kaluara e deri më sot, Gjermania është respektuar në mënyrë të veçantë nga bashkësia ndërkombëtare dhe paraqet një superfuqi politike, ekonomike dhe ushtarake. Sot, Gjermaninë mund ta definojmë si republikë federale me karakter social i cili është i bazuar në parimet e demokracisë liberale. 

Institucionet politike të RFGJ-së

Me përfundimin e luftës së dytë botërore dhe disfatës së fashizmit në Gjermani fillon të aplikohet sistemi parlamentar, i cili dallohet nga shtetet tjera për shkak të karakterit federal të shtetit. Më 23 maj të vitit 1949 hyri në fuqi Ligji Themelor, që paraqet bazën kushtetuese të organizimit dhe funksionimit të shtetit. Pushteti shtetëror është i ndarë në dy nivele, ai qëndror apo federal, ku bëjnë pjesë Parlamenti dy dhomësh, Presidenti dhe Qeveria federale, ndërsa pushteti lokal është i organizuar në kuadër të njësive të caktuara, në nivel të komunave dhe në nivel të rretheve, me shpërndarje të kompetencave ndërmjet federatës dhe landeve (shteteve anëtare) si njësi të federatës. Federalizmi gjerman është më specifik, raportet e krijuara në mes pushtetit federativ dhe njësive federale/landeve janë të njohura si federalizëm kooperativ, që don të thotë bashkëpunim në mes federatës dhe landeve në kryerjen e funksioneve shtetërore. Sipas Ligjit Themelor e drejta federale ka epërsi mbi të drejtën e landit, prandaj pushteti qendror- federal ka autorizim të mbikqyrë implementimin e ligjeve në nivel të landeve dhe të ndërmerr masa ndaj ndonjë njësie federale në raste të caktuara.

Parlamenti

Parlamenti gjerman është dy dhomësh, i përbërë nga Bundestagu (dhoma e poshtme) dhe Bundesrati (dhoma e sipërme). Deputetët e Bundestagut zgjidhen në zgjedhje të përgjithshme me mandat katërvjeçar, ushtron funksionin ligjvënës, mbikqyr punën e ekzekutivit, miratimin e buxhetit dhe kontrollin mbi administrimin e tij, pjesëmarrja e Bundestagut në zgjedhjen e Presidentit etj. Aktiviteti më i madh në kuadër të Bundestagut bëhet në kuadër të njëzet komiteteve, ku emërohen persona me përvojë dhe me kualifikime të duhura. Dhoma e sipërme apo Bundesrati përfaqëson qeveritë e landeve, ku nurmi i përfaqësuesve të landeve përcaktohet në varshmëri nga numri i popullsisë së landit përkatës, p.sh landet përfaqësohen me nga 3, 4, 5 ose 6 përfaqësues. Anëtarët e Bundesratit nuk mundet që njëkohësisht të jenë edhe anëtarë të Bundestagut, ndërsa mandati i tyre varet nga qeveria e landit. Bundesrati ka të drejtën e inicimit të ligjeve dhe të pjesëmarrjes mjaft të gjerë në procesin ligjvënës. Vetoja e Bundesratit është e plotfuqishme në tre raste, rasti i parë kur ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese, rasti i dytë ka të bëjë me atë ardhurat buxhetore të landeve dhe rasti i tretë nënkupton ligjet që kanë të bëjnë me juridikcionin administrativ të landeve. Në këto raste mosvotimi i projektligjit në Bundesrat nënkupton mosmiratimin e tij.

Presidenti federal

Presidenti federal zgjidhet nga Asambleja Federale, një organ federal që shërben vetëm për këtë qëllim, i cili përbëhet nga anëtarët e Bundestagut dhe një numër i barabartë anëtarësh të zgjedhur nga legjistraturat e landeve sipas parimeve të sistemit elektoral-proporcional. Presidenti zgjidhet me mandat pesëvjeçar me mundësi të rizgjedhjes vetëm një herë. Pas zgjedhjes presidenti federal është i obliguar të heq dorë nga të gjitha funksionet publike. Ai nuk mund të shprndajë Parlamentin e as qeverinë. Kryerja e rolit simbolik dhe ceremonial të presidentit, për shkak të kompetencave të kufizuara, ai prap se prap ushtron edhe disa detyra, si psh: emëron dhe shkarkon nëpunës shtetëror dhe gjykatës, të drejtën e faljes në raste individuale, propozon kandidatin për kancelar, nënshkruan ligjet. Në rast shkelje eventuale të ndonjë ligji ai përgjigjet para Gjykatës Kushtetuese Federale.

Qeveria Federale dhe kancelari

Praktika e funksionimit të qeverisë federale në aspektin formal jep fakte të mjaftueshme se nuk dallon nga qeveritë e sistemeve të tjera parlamentare. Qeveria federale është e përbërë nga kancelari federal, 19 ministra që janë pjesë të Këshillit të Ministrave dhe 25 sekretarë shtetëror parlamentar që nuk janë pjesë e Këshillit të Ministrave. Pushteti ekzekutiv ndodhet në duart e Kancelarit i cili është kryetar i qeverisë. Ai udhëheq me punën e qeverisë dhe është përgjegjës për implementimin e programit qeveritar. Të gjithë ministrat veprimtarinë e tyre e ushtrojnë në mënyrë të pavarur dhe në bazë të përgjegjësisë personale, ndërsa, të gjitha paqartësitë apo dallimet në mes të ministrive zgjidhjen e tyre e bën qeveria federale. Instrumenti kryesor me të cilin disponon kancelari në koordinim dhe udhëheqjen e veprimtarisë qeveritare është zyra federale, e themeluar në vitin 1949 nga ana e ish-kancelarit Konrad Adenauer. Zyra federale përbëhet nga shefi i kancelarisë i cili njëkohësisht është edhe ministër federal dhe 6 drejtori federale: drejtoria për drejtësi dhe administratë, për marrëdhënie të jashtme dhe të brendshme, për punë sociale dhe mjedis, drejtoria për politika ekonomike dhe financiare, drejtoria për telekomunikacion dhe drejtoria për informim të federatës. Po ashtu, kancelari disponon edhe me një kabinet në të cilin janë të përfaqësuar bashkëpunëtorët e tij personal, si këshilltarë, ekspertë nga fusha të ndryshme, etj.

Nga kjo që u tha më lart mund të konstatojmë se federalizmi gjerman paraqet modelin më të zhvilluar në Europë dhe funksionon mbi bazën e ndarjes gjeografike dhe një decentralizimi federal. Një model i funksionimit që për shumë vende të tjera paraqitet si model i ngarkuar por që deri më tani nuk ka dhënë kurrfarë shenjash të rëndëfunksionimit, pikërisht për shkak të traditës dhe përvojës të gjatë të funksionimit sipas këtij sistemi shoqëror. Ndaj me plotë të drejt thuhet që Gjermania është një ndër shtetet më stabile dhe më të fuqishme në Europë dhe më gjërë.

Lajme të ngjashme

Back to top button