Gazetat greke: Asnjë grek në qeverinë “Rama”, fillim i keq

Për herë të parë në këtë periudhë 20 vjeçare të demokracisë, në kabinetin qeveritar të Shqipërisë nuk ka një ministër nga minoriteti grek.

Partia Socialiste, e cila ka fituar zgjedhjet, nuk u dha asnjë post ministror partive aleate të koalicionit që morën nga një mandat deputeti. Kjo ka shkaktuar reagime të forta në mediat greke, të cilët e shikojnë si një fillim të keq këtë rast, transmeton gazeta Start.

Gazeta greke “Ethnos” në një analizë të titulluar “Fillimi i keq”, shkruan midis të tjerash se marrëdhëniet me minoritetin grek në Shqipëridhe qeverisë shqiptare kanë qenë të vështira, por këto marrëdhënie këtë verë u testuan që në fillim me ardhjen e qeverisë së re. “Kurrë marrëdhëniet e Tiranës me minoritetin grek nuk kanë qenë të lehta, por duket se me udhëheqësin e ri shqiptar Edi Rama këto marrëdhënie u testuan, para se ai të marrë detyrën si kryeministër. Rama, edhe pse zgjodhi të bashkëpunojë me partinë e minoritarëve PBDNJ, në përbërjen e qeverisë së tij nuk përfshiu asnjë anëtar të pakicës greke, gjë që ndodh për herë të parë që prej rënies së regjimit komunist.

“Në këtë zhvillim, megjithatë, nuk është e parëndësishme dhe braktisja e plotë e PBDNJ dhe Omonias nga Athina zyrtare”, shkruan gazeta në fjalë.

Gazeta tjetër “Kathimerini”, është më e ashpër, teksa deklaron se në “qeverinë e re shqiptare nuk ka asnjë vorioepirot”, teksa thuhet më tej se Rama nuk iu përmbajt marrëveshjes parazgjedhore me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Në analizën e vet, kjo gazetë shkruan se qeveria e re përballet me korrupsionin galopant, rritjen e trafikut të drogës, etj.

Lajme të ngjashme

Back to top button