Tetovë, Pallati sërish i ftohtë për të punësuari dhe artdashësit

Pallati i kulturës së Tetovës sërish mbetet pa ngrohje. Ministria e Kulturës nuk ka lëshuar naftë për nxehjen qendrore duke e anashkaluar faktin që në këtë shtëpi kulture ka aktivitete të përditshme, njofton Alsat-M. Për këtë problem i cili përsëritet çdo vit, drejtori i kësaj Shtëpie, Haki Fazliu  thotë se ka bërë kërkesë, por deri tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.

“Si duket do përsëritet ajo e vitit të kaluar, dhe viteve më parë, mirëpo tash vërtetë është për keqardhje se sistemin e kemi të ri dhe është gjynah të mos ketë nxehje. Edhe sot e kësaj dite nuk ka të miratuara edhe pse ligjërisht duhet të miratohet një buxhet i tillë”, u shpreh Fazliu.

Shtëpia e Kulturës vazhdon të zhytet në borxhe që merr për ta siguruar ngrohjen sepse në të kundërtën, aktivitetet kulturore do ishin ndërprerë.

“Nëse edhe këtë vit do të tregohet e njëjta neglizhencë, Shtëpisë së Kulturës i rrezikohen fondet për mirëmbajtje, të cilat do duhet të riorientohen për blerje nafte.” shpreh drejtori Fazliu.

I informuar për këtë gjendje sekretari Shtetëror në Ministrinë e Kulturës Behixhudin Shehapi thotë se çështja do të gjejë zgjidhje por qershorin e vitit të ardhshëm.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button