Ku janë librat shqip?! USHT ngelet me mbi 100 tituj nga 897 të përkthyer

Ministri për Arsim dhe Shkencë, Abdilaqim Ademi, ditë më parë bëri promovimin e 11-të titujve të ri që janë pjesë e projektit “Përkthim i 1000 teksteve profesionale”, më ç’rast sipas njoftimit të tyre numri i përkthimeve arriti në 897.

E gjithë kjo mbase do të ishte një punë e mirë, sikur të dinim se KU janë librat e përkthyera në shqip?

Deklarata kundërthënëse vijnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe nga Universiteti Shtetëror i Tetovës. Përderisa e para thotë se përkthimi i titujve bëhet paralel në gjuhën maqedonase dhe atë shqipe tjetri thotë se numri i librave mbetet i njëjtë si vitin e kaluar, me mbi 100 tituj të përkthyer duke mos treguar as sa janë saktë.

Zëdhënësi i MASH-it Goran Galevski bën të ditur për Portalb, se përkthimi i titujve bëhet paralel në gjuhën maqedonase dhe atë shqipe.

“Së pari shpallet konkurs dhe firma që fiton konkursin siguron përkthyes edhe në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe. Numri i titujve të përkthyer është i njëjtë për  të dy gjuhët”, tha për Portalb, Galevski.

Si zakonisht ministri i arsimit Ademi vazhdon të mbetet i pakapshëm për komentim.

Por nga ana tjetër sektori për informim në USHT, thonë se deri më tani pranë këtij Universiteti janë në dispozicion mbi 100 tituj të përkthyer, gjë që bie në kundërshtim në atë që thotë Galevski.

I pyetur se nëse janë përkthyer 897 tituj edhe në gjuhën shqipe, pse vetëm mbi 100 janë në USHT, Galevski thotë se përkthimet janë bërë mirëpo nga USHT nuk janë paraqitur që ti marrin librat.

“Përkthimet janë bërë, mirëpo si duket askush nga USHT nuk ka ardhur për t’i marrë ato, sepse ne i informojmë kur kemi libra të përkthyer në gjuhën shqipe. Gjitha librat e përkthyer iu shpërndahen universiteteve shtetërore”, tha për Portalb, Galevski.

Ndërkaq zëdhënësi i USHT-së Selajm Sulejmani bën të ditur për Portalb, se USHT ka marrë të gjithë titujt e përkthyer nga MASH-i, të cilët janë mbi 100.

“Ne i kemi marrë të gjithë titujt që janë përkthyer në gjuhën shqipe dhe deri më tani numri i tyre arrin mbi 100”, tha për Portalb, Sulejmani

Deklaratat e MASH-it dhe e USHT-së janë të kundërta, shtrohet pyetja kush po gënjen këtu?, a do të thotë se nuk ka komunikim mes këtyre dy institucioneve?, çfarë po ndodh me librat shqip?.

Këto janë pyetjet drejtuar MASH dhe USHT për të cilat nuk morëm përgjigje që nuk përputheshin njëra me tjetrën.

Numri i titujve të përkthyer në gjuhën shqipe vazhdon të jetë i njëjtë me atë që ishte edhe vitin e kaluar.

Lajme të ngjashme

Back to top button