Portieri luan 90 min me plumb në kokë

Sarajevë, 2 gusht – Portierët goditen zakonisht gjatë ndeshjeve, por jo me… plumba. Portieri amator Dusko Krtalica po luante një ndeshje në një lagje të Sarajevës, kur u ankua për dhimbje koke. Ai mendoi se kjo ishte rezultat i goditjes së shtyllës teksa ishte duke bërë një pritje më herët, ndaj e la mënjanë dhimbjen dhe vazhdoi lojën.

Sipas gazetës boshnjake “Dnevni Avaz”, 51-vjeçari e përfundoi ndeshjen, por shpejt u ankua për mpirje të krahut dhe vështirësi në të folur. Menjëherë u dërgua në një spital të zonës, ku mjekët u tronditën kur panë një plumb 9mm në kafkën e tij.

Krtalica u transferua në pavijonin e neurokirurgjisë, ku ia hoqën plumbin. Një zëdhënës i spitalit tha se operacioni ishte i suksesshëm dhe se 51-vjeçari ishte në gjendje të qëndrueshme.

Kjo ngjarje e çuditshme ngre shumë pikëpyetje. Si ka mundësi që dikush nuk e vë re kur i futet një plumb në kokë? Si është e mundur që ky person të ndjehet mirë sa për të luajtur 90 minuta futboll me një dëmtim të tillë? Dhe kush e qëlloi 51-vjeçarin në atë turne amator?

Vetëm pyetja e fundit mori përgjigje: pasi policia krehu zonën, zbuloi se kishte tri dasma në lagje atë ditë. Gjatë të paktën njërës prej tyre, dikush mendoi se ishte ide e mirë të festohej me shkrepje armësh. Një nga plumbat e lëshuar mund të ketë përfunduar në kafkën e personazhit tonë.

Po sipas “Dnevni Avaz”, një 42-vjeçar u arrestua dhe iu sekuestrua një pistoletë. Më tej u gjetën 12 gëzhoja në afërsi të fushës së futbollit, çka do të thotë se persona të tjerë mund të ishin lënduar.

Sa për informacion, Krtalica pësoi vetëm një gol teksa luante me plumbin në kokë.

Lajme të ngjashme

Back to top button