Çfarë po ndodh me gjykimin e Naserit?!

Kaluan pesë muaj dhe gjykimi i të dyshuarit Naser E, për vrasjen e Angel P në Gjorçe Petrov të Shkupit ende nuk ka filluar.
I kontaktuar nga Portalb, avokati mbrojtës Rubin Dvojakov thotë se ende nuk është ngritur aktakuzë nga prokuroria për arsye se procedura e ekspertizës së fakteve dhe dëshmive ende është në zhvillim e sipër.

“Gjykimi i Naserit ende nuk ka filluar dhe nuk mund të fillojë pa u ngritur aktakuzë nga Prokuroria e cila do ta përcjellë atë në gjykatë. Ende është duke u bërë ekspertiza e fakteve dhe shpresojmë që sa më shpejtë të kryhet kjo procedurë”, tha për Portalb, Dvojakov.

Ai nuk sqaroi se a është në rregull që kjo procedurë të zgjasë kaq gjatë.

I kontaktuar nga Portalb, juristi Osman Kadriu bën të ditur se afat të caktuar nuk ka për ngritjen e aktvendimit, mirëpo edhe nuk duhet të stërgjatët ajo.

“Prokurori duhet të mbledh gjitha dëshmitë gjitha faktet për rastin në fjalë dhe më pas të vendos se a ka vepër penale dhe të ngrit aktakuzë. Rregull për afat kohor nuk ka mirëpo ajo nuk duhet të zgjatet shumë sepse dëmtohet i dyshuari i cili tërë kohën është në paraburgim”, tha për Portalb, Kadriu.

Ai shtoi se vonesa e ngritjes së aktakuzës mund të ndodhë për dy arsye.

“Arsyeja e parë e ngecjes së procedurës mund të jetë politizimi, me qëllim që mos të shfaqet pakënaqësi, prokurorit i kërkohet të zgjasë procedurën deri sa të qetësohen gjakrat. Sepse e pamë se çfarë ndodhi pas gjykimit të rastit Monstra. Arsyeja e dytë mund të jetë se ende nuk ka dëshmi të qarta dhe nga mungesa e tyre prokurori nuk mund të ngre aktakuzë. Mirëpo ai duhet të bëjë të ditur se a do ketë apo jo aktakuzë sepse kështu le në ankth edhe familjarët edhe vetë të dyshuarin i cili që nga ajo kohë gjendet në paraburgim”, tha për Portalb, Kadriu.

Ndryshe, vrasja ndodhi më 19 maj në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit në afërsi të një spitali të syve, por akoma nuk ka asnjë detaj se si ka ndodhur vrasja, përkundër spekulimeve të ndryshme që mbizotëruan këtë ngjarje tragjike e cila nxiti tensione etnike dhe protesta të maqedonasve, të cilët dogjën dhe demoluan dyqane dhe lokale të shqiptarëve në lagjen Gjorçe Petrov në Shkup. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button