Dielli në perëndim, rusët te dera

Një dështim epik që kërkon pak fjalë për shpjegim. Brenda shtatë viteve, Maqedonia kaloi nga një vend që kishte mbështetje personale nga Kryetari amerikan Xhorxh W. Bush për anëtarësim në NATO, në një vartës potencial Gazpromi – një shtet që e kërkon fatin qosheve të Indisë dhe Rusisë.  

Secili që kupton diçka prej politikës përtej Tabanocit, e ka të qartë që energjetika është arma kyçe e ndikimit politik dhe çështjet gjeostrategjike si gazsjellësit nuk vendosen në kabinetet provinciale, por në Uashington dhe Berlin. Në mungesë të afrimit euro-atlantik, Maqedonia ngadalë po e shpall Planin B. Për pjesën shqiptare të kabinetit qeveritar mund të tingëllojnë bukur vargjet se “dielli i shqiptarëve lind në perëndim”, ama si përputhet kjo retorikë me realitetin e marrëdhënieve të trashura me Rusinë? 

Që në fillim, është krejt e pasigurt nëse Maqedonia do të bëhet pjesë e sistemit rus “Rrjedha jugore”. Neni 2 i Kontratës maqedono-ruse për furnizim me gaz, që më në fund u publikua nga Ministria e Financave pas kërkesave të shumta publike, përcakton qartë që realizueshmëria e gazsjellësit varet nga vlerësimi i efekteve teknike, ekonomike, ekologjike dhe financiare. Me fjalë tjera, nëse krejt këto aspekte marrin notë pozitive, vetëm dhe vetëm atëherë mund të mendohet për ngrohje me gazin rus. 

Më tej, Kontrata tashmë e nënshkruar për një periudhë 30-vjeçare, parasheh që nëse Maqedonia detyrohet të imponojë kufizime si rezultat i anëtarësimit në ndonjë organizatë rajonale për integrim ekonomik (si që është BE, bie fjala), ato nuk do të vlejnë për këtë investim kapital rus. Me kusht që kontrata të realizohet, efektet negative të kësaj dispozite mund ta marrin hakun gjatë negociatave për BE – nëse Maqedonia i fillon ato gjatë 30 viteve të ardhshme.  

Pikërisht për arsye të realizueshmërisë tekniko-financiare, vështirë besohet vazhdimi i “Rrjedhës jugore” drejt Maqedonisë. Vendi ka më pak se dy milionë banorë dhe industri të vogël. Mbi të gjitha, tashmë është vendosur shtrirja e Tubacionit Trans Adriatik (TAP), që fillon në Azerbajxhan, duke kaluar në Greqi dhe Shqipëri, në drejtim të Italisë. Kjo i ul gjasat për vazhdimin e gazsjellësit rus drejt fqinjëve, por njëherazi përbën edhe një test për Maqedoninë, nëse do ta preferojë Moskën ose do t’i ngjitet opcionit logjik të kyçjes në TAP, që do të kalojë vetëm disa kilometra nga kufiri jugperëndimor.

Për dallim prej gazit rus, që rregullisht shfrytëzohet si vegël politike për disiplinimin e Ukrainës gjatë acareve të janarit, fazat fillestare të TAP-it janë financuar nga BE, me qëllim që të krijohet alternativë ndaj shantazheve ruse. Kushdo që lexon ndonjë gazetë serioze, e ka të qartë që kriza e gazit e vitit 2009 e përshpejtoi garën e resurseve – gazsjellësit janë shumë më tepër se vetëm numra dhe ato i përcaktojnë kahjet gjeostrategjike të ardhmërisë së afërt. Falë rëndësisë kontinentale, marrëveshja e nënshkruar për TAP u përgëzua personalisht nga Kryetari i Komisionit të Bashkimit Evropian.

Me ose pa realizimin e gazsjellësit në Maqedoni, afrimi i marrëdhënieve me Moskën vetëm se e tregon orientimin e lëkundur euro-amerikan të Maqedonisë. Loja nuk është e thjeshtë – Maqedonia nuk mund të krahasohet me vendet e BE-së që furnizohen me gazin rus, meqë ato tashmë janë pjesë e NATO ombrellës dhe rreshtimi i tyre nuk kontestohet si në rastin tonë. Shkurt, Shkupi tani i jep prioritet Moskës, duke e favorizuar atë kundrejt gazsjellësit alternativ evropian.

Përrallat për përfitime industriale dhe naiviteti se gazsjellësi i Gazpromit nuk ka të bëjë me politikën e vendit, mjaftojnë vetëm për mediet e trashura me reklama qeveritare. Gypat rus këtu, të kombinuara me kompleksitetin etnik dhe institucionet e paafta, shpejtë do ta shndërrojnë Maqedoninë në një Moldavi tjetër. Humbjet në rrafshin politik dhe gjeostrategjik do të jenë të thella dhe afatgjate, pavarësisht fishekzjarreve qeveritare ose arsyetimeve anakronike të partnerit shqiptar të koalicionit. 

Maqedonia nuk ka takat për lojë në dy drejtime, gjë që nuk i ec dorës as vendeve më të fuqishme të rajonit. Nëse afërsia me Rusinë shpjegohet me lidhjet gjysmë-vëllazërore të maqedonasve, anash dimensionit antik, mbetet i panjohur roli i shqiptarëve në Qeveri – nëse i ka pyetur ndokush sadopak. Për dallim nga aventurat e tipit Subrata Roj, flertet e këtilla nuk kalojnë pa u regjistruar në BE dhe Uashington. Udhëheqësit, në vend të udhëtimeve turistike dhe letrave të dedikuara për diplomatët në pension të thellë, të paktën që mund ta bëjnë tani për ta dëshmuar orientimin euro-atlantik të Qeverisë është fokusimi në TAP-in e favorizuar nga evropianët, që ka gjasa më reale për realizim. 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Back to top button