Letrat e Ali Ahmetit, analistët: adresa e gabuar, përfitues vetëm VMRO e BDI

Është komentuar në mënyra të ndryshme në opinionin e vendit, letra e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti drejtuar përfaqësuesve të Bashkësisë Ndërkombëtare, për të ndihmuar në zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë, kontest ky që llogaritet si një nga pengesat kryesore të anëtarësimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike.

Vlerësimet e pjesës dërmuese të opinionit publik në vend, janë se letra e kryetarit të BDI-së, nuk do të ketë ndonjë efekt shumë pozitiv për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë, dhe me këtë as ndonjë lëvizje pozitive në drejtim të anëtarësimit të vendit në BE dhe në NATO.
Analisti Xhelal Neziri, madje pretendon se duket se ka një lojë rreth emrit që u konvenon edhe Ahmetit edhe Gruevskit.
 
“E ashtuquajtura ofenzivë diplomatike e liderit të BDI-së po krijon një përshtypje të rrejshme në opinion, se gjoja ai më në fund u zgjua nga gjumi i inferioritetit dhe po bëhet faktor në qeveri, pas pesë viteve pjesëmarrje pasive”, thekson për Portalb, Neziri.

Ai vlerëson se nga ana tjetër, ky presion i Ahmetit për emrin e shfaq para opinionit maqedonas Gruevskin si një mbrojtës i pakompromis i identitetit, gjuhës dhe kulturës së kombit të tij. 

“Edhe letrat e Ahmetit drejtuar figurave të politikës ndërkombëtare i shoh në kuadër të këtij teatri. Është një lojë nga e cila përfitojnë VMRO dhe BDI, kurse humbin qytetarët e Maqedonisë”, vlerëson analisti Xhelal Neziri.

Nga ana tjetër, ish Ministri i Punëve të Jashtme Denko Malevski, thotë për Portalb, se veprimi i liderit të BDI-së, Ali Ahmeti është ndërmarrë me qëllime të mira, por, përshtypja e tij është se megjithatë adresat në të cilat janë drejtuar letrat janë të gabueshme.
 
“Në fakt t’u drejtohesh ish politikanëve do të thotë që të mos presësh ndonjë efekt të madh nga ajo që mendon të arrish. Ekziston një rregull në politikë, si tek ne ashtu edhe në të gjithë botën dhe ajo është se kur je jashtë politikës je jashtë saj. “, thekson ai.

 Ish Ministri i Jashtëm thotë se këto këto njerëz  nuk mund të ndihmojnë, në shumë çka, sepse ata më pak ose më shumë janë persona privatë, të cilët mund të kenë patur simpati ndaj vendit tonë për arsyen se në një periudhë të karrierës së tyre kanë shërbyer këtu.

“Domethënë ndonjë efekt të madh nga kjo nuk do të ketë, sepse letrat duhej t’u adresoheshin drejtuesve të shteteve, ndërsa më mirë do të ishte, kur për mbështetje të tillë do të drejtohej edhe  Qeveria e Maqedonisë dhe jo vetëm një pjesë e  saj, gjë që tregon se ajo nuk ka unitet, rreth këtyre qëndrimeve”, thekson Denko Malevski. /PORTALB

Lajme të ngjashme

Back to top button