Afro 7000 prindër dhe nxënës janë këshilluar në kuadër të projektit “Këshillim i prindërve – shkolla prindërore”

Gjithsej 6.932 thirrje për këshillim të prindërve dhe të nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme janë realizuar deri në fund të muajit korrik 2013, në suaza të projektit të Ministrisë së arsimit dhe shkencës, “Këshillimi i prindërve – shkolla prindërore”.

Siç informoi në konferencën e sotme për shtyp, ministri i arsimit dhe shkencës, Spiro Ristovski, nga numri i lartëpërmendur i këshillimeve të realizuara, në gjithsej 219 shkolla janë kryer 2.085 këshillime për mungesat e nxënësve (1.208 në shkollat fillore dhe 877 në shkollat e mesme), 3.726 këshillime për shkak të rënies së suksesit të nxënësve (2.104 në shkollat fillore, 1.622 të mesme), 260 këshillime për shkak të sjelljes joadekuate të nxënësve (245 në fillore dhe 15 në ato të mesme) dhe 861 këshillime për arsye të tjera (820 në shkolla fillore dhe 41 në ato të mesme). 

Sipas ministrit, nëpërmjet kësaj mase, prindërit sërish kyçen në sistem dhe atyre u mundësohet interesim më i madh në zhvillimin e komponentës edukative dhe realizimin e saj në arsimin fillor dhe të mesëm.

MASH-i filloi me realizimin e projektit “Këshillimi i prindërve-shkolla prindërore” nga fillimi i vitit 2012, që është në pajtim me ndryshimet e rregullores ligjore për arsim fillor dhe të mesëm të vitit 2011, si dhe me Ligjin e miratuar për shërbimin pedagogjik. 

Qëllimi i projektit është të këshillohen prindërit, fëmijët e të cilëve nuk e ndjekin mësimin rregullisht, kanë sukses të dobët në mësim dhe manifestojnë forma të ndryshme të sjelljes joadekuate, si dhe të këshillohen vetë nxënësit.

Projekti do të vazhdojë të realizohet edhe në vitin e ardhshëm shkollor duke pasur parasysh se ka dhënë rezultate për arsim më cilësor të fëmijëve. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button